16:00 Ju lutemi qëndroni në shtëpi, ne do t’ju informojmë për gjithçka!

Disa muaj më parë koronavirusi dukej sikur ishte “problem” për Kinën e largët. Por gjithsesi, një virus që shpërndahet me një lehtësi dhe shpejtësi kaq të madhe nuk mund të ishte problem i vetëm një shteti.

Virusi nisej të përhapej me shpejtësi në fund të dhjetorit të vitit që lamë pas dhe tashmë pas më shumë se dy muajsh, OBSH ka shpallur pandeminë.

Që pas 9 marsit edhe shqiptarët po kalojnë ditë të vështira, përpara kemi një “luftë” përballë një armiku që nuk mund ta shohim por e kemi parë me sytë tanë tashmë se çfarë dëmi mund të bëjë.

Gjatë ditës së sotme (13 mars) u regjistruan dhjetë raste të reja me koronavirus duke e çuar kështu numrin total në 33, ndërsa një e moshuar për fat të keq nuk arriti ta mposhte infeksionin dhe ndërroi jetë në spitalin e Fierit.

Rastet pritet të shtohen dita ditës, vendi për dy ditët në vazhdim do të jetë në “shtetrrethim”, ndërsa qytetareve u është kërkuar që të qëndrojnë brenda dhe të mos dalin nëse nuk e kanë shumë të nevojshme.

Situata është e vështirë për të gjithë, frika lexohet në sytë e njerëzve, por sakrificën më të madhe po e bëjnë bluzat e bardha që ndodhen në frontin e parë të kësaj beteje të cilin ne do mundohemi ta fitojmë me çdo kusht! Mjekët dhe dhe infermieret po vetë-sakrifikohen duke u përballur direkt me rrezikun për të çuar përpara detyrën e tyre humane.

Duke respektuar dhe përshëndetur përpjekjet e tyre, ABC NEWS falenderon heronjtë e vijës së parë, ne i shprehim mirënjohje personelit të reparteve Infektive dhe u themi se: Me JU do t’ia dalim!!!

ABC NEWS falenderon mjekët, infermierët dhe trupën në terren: Mirënjohje për sakrificat tuaja!!!

E fundit por jo më pak e rëndësishmja, ABC NEWS u bën apel qytetareve: Ju lutemi qëndroni në shtëpi, ne do ju informojmë për gjithcka!

Nese nuk mendoni për veten, mendoni për prindërit, për gjyshërit dhe të afërmit tuaj që mund të jenë më të rrezikuar se vetë ju. Ky është momenti që të gjithë të tregojmë përgjegjshmëri, pjekuri dhe guxim!

15:40 “Shtetrrethimi”: Qytetarët në rrethe të pabindur, mbushin kafenetë e dalin me makina private

Duke nisur nga ora 16.00 e mëngjesit të së premtes hynë në fuqi edhe masat shtrënguese për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit në Shqipëri.

Në disa qytete është ndaluar qarkullimi i automjeteve ndërsa në disa të tjera janë vendosur rregulla për mbajtjen e distancës me tavolinave dhe personave. Por si janë zbatuar këto rregulla jashtë Tiranës? Në një panoramë të përgjithshme duket se kujdesi jashtë kryeqytetit është më i ulët.

Duke folur direkt nga Saranda, gazetarja e Abc News, Silvi Sula ka treguar sesi është situata në qytetin bregdetar.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=76gbiEFNgRs?feature=oembed&w=1200&h=675]

Gazetarja u shpreh se edhe pse masat shtohen, në Sarandë ndërgjegjësimi është minimal. Sula shpjegoi se kafenetë dhe rrugët e qytetit janë plot dhe se qytetarët nuk po e marrin aspak seriozisht situatën.

Nga ana tjetër, pas vendosjes së “shtetrrethimit”, në pamjet e siguruara nga Abc News, duket se rrugët janë zbrazur. Ndërsa numri i qytetareve që shihen të kalojnë është i vogël.

Një prej tyre, i siguruar me maskë u shpreh:

“Kam dale do marr bukën do psonis, nuk dal më pastaj. U dërgoj një mesazh njerëzve që të marrin çfarë kanë për të marrë e të futen të rrinë në shtëpi.”

Në orët e para të mëngjesit është parë një reduktim i qarkullimit dhe lëvizjes së qytetarëve në Vlorë, me sa duket disa prej tyre nuk i kanë rezistuar shumë qëndrimit të domosdoshëm në shtëpi. Për të pabindurit, policia ka vënë gjoba.

Në Durrës, situata duket e qetë, rrugët janë të boshatisura ndërsa ka pasur edhe nga ata që nuk i kanë respektuar rregullat dhe kanë dalë me automjete private. Për këtë arsye rreth 22 automjete janë bllokuar. Ndërsa mbyllja e bizneseve ka bërë që të ulet numri i personave që dalin jashtë shtëpive.

Sa i përket situatës në Patos, situata paraqitej e qetë derisa më vonë gjatë ditës u konfirmua se një 66-vjeçar i kthyer nga Italia më 3 mars, ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Pas këtij lajmi është urdhëruar edhe mbyllja e bizneseve ndërsa qytetarët janë njoftuar që të qëndrojnë në shtëpi. /abcnews.al/

15:31 Situatë shqetësuese në Fier, 4 vatrat me koronavirus janë të pavarur nga njëra-tjetra

Ditën e sotme Ministria e shëndetësisë njoftoi një rritje të menjëhershme të të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri duke e çuar numrin në 33.

Harta vatrave të të prekurve sa vjen e zgjerohet duke përfshirë edhe rrethin e Fierit me 4 të infektuar.

Një 66 vjeçar nga Patosi i Fierit mësohet se ka qenë në të njëjtin avion me 73 vjeçaren në Durrës e cila humbi jetën 2 ditë më parë.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=EVbp6FGudIk?feature=oembed&w=1200&h=675]

Siç raporton gazetarja e ABC News Valbona Davidhi 66 vjeçari është paraqitur në institucionin e Drejtorisë së Shëndetit Publik në mjediset e laboratorëve ku i kanë thënë se duhet të telefonojë në Urgjencën kombëtare 127, pasi ata duhet të merreshin me rastin.

Mendohet se 3 raste të tjera në Fier dyshohet se vijnë nga zonat rurale, dhe nuk janë të lidhur me njëra tjetrën, që me sa kuptohet kemi të bëjmë me 4 vatra.

Shumë qytete janë në “shtet-rrethim” dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private.

E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët./abcnews.al

15:02 Dezinfektohen vendet e të prekurve me koronavirus në Elbasan dhe Patos

Numri i të prekurve me koronavirus ka shkuar sot në 33, ku konfirmuan 10 raste të reja.

Dy prej të infektuarve janë konfimuar tashmë në Elbasan. Për pasojë bashkia ka nisur dezinfektimit e qytetit. Dezinfektimi është përqëndruar në lagjen “5 Maji” ku është identifikuar vatra e parë në Elbasan, por pa përjashtuar edhe lagjet e tjera dhe qendrën e qytetit.

Në zbatim të urdhërit të Kryetarit të Bashkisë, janë të pezulluara të gjitha tregjet publike dhe private, tregjet e gjësë së gjallë, tregjet nëpër njësitë administrative, tregjet e rrobave të përdorura dhe çdo lloj aktiviteti tregtimi në ambiente të hapura përfshirë dhe tregtarët ambulantë në territorin e Bashkisë Elbasan do të ndalohet deri në një urdhër të dytë.

Po ashtu edhe në Patos ka nisur dezinfektimi i qytetit pasi u konfirmua rasti i parë. 66-vjeçari i infektuar në Patos ndodhet në spitalin e Infektivit në qytet në gjendje të stabilizuar.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=krIO8mkP59Y?feature=oembed]

14:01 Ambasada gjermane bllokon dhënien e vizave për shkak të koronavirusit

Ambasada gjermane ka njoftuar mbylljen e sportelit të dhënies së vizave deri më datë 20 mars për shkak të situatës me koronavirusin.

Njoftimi është bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook ku ambasada njofton se do t’i njoftojë përmes një e-maili personat që kishin datat e caktuara në këtë periudhë.

13:45 Tirana dhe Durrësi “pushtojnë” Korçën? Çfarë ndodh në terren

Që prej mbrëmjes së djeshme në media u raportua se një pjesë e madhe e qytetarëve të Tiranës kanë lënë kryeqytetin dhe janë drejtuar drejt Korçës. Kjo u komentua shumë, ndërsa për mjekët ishte një veprim i gabuar pasi mund të sjellë pasoja si në Itali.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=1612YG2TTxY?feature=oembed]

Ndërkohë në një lidhje direkte, gazetarja Lediona Xheladinaj raporton se në Korçë dhe Pogradec janë mbyllur të gjitha hotelet me urdhër të bashkisë.

“Është thënë se qytetarë nga Tirana dhe Durrësi janë dynudr në qytetin e Korcës, por nga verifkimet që unë kam bërë në të gjita hotelet janë të gjitha të mbyllura/ Me urdhër të bashkisë janë mbyllur dhe nuk presin ansjë turist apo qytetar.

13:25 ABC News në varrezat e Tufinës, shqiptarët “heqin dorë” nga zakoni

ABC News është duke kryer një vëzhgim në gjithë zonat ku është thënë se janë vatrat më të mëdha të përhapjes së Koronavirusit. Një nga këto është edhe pjesëmarrja në varrime.

Duket se shqiptarët janë ndërgjegjësuar, që nuk duhet të marrin pjesë në këto ceremoni për të evituar përhapjen.

Gazetari Maksi Rama ka qenë në varrezat e Tufinës për të verifikuar këtë fakt.

Siç raporton për abcnews.al, në një ceremoni varrimi është vënë re pjesëmarrja e vetëm 2 makinave.

Nuk ka patur grumbullime masive dhe sipas informacioneve prej dy ditësh është vënë re se pjesëmarrësit janë reduktuar në maksimum.

Rojet dhe punëtorët e mirëmbajtjes në këtë varrezë kanë konfirmuar këtë fakt.

Ndërkohë numri i të prekurve në Shqipëri është rritur ndjeshëm ditën e sotme. Në total janë infektuar 33 persona.

12:25 “Qëndroni në shtëpi!”: Deputeti “i pabindur” i PS thyen rregullat, fotografohet në rrugë

Për tre ditë Shqipëria do të jetë në “shtetrrethim” me shpresën që impakti i Covid-19 në vendin tonë të mos jetë aq i madh sa në Itali apo vende të tjera.

Qarkullimi i makinave është ndaluar në shumë qytete, veç rasteve të autorizuara si autoambulancat, automjetet që furnizojnë marketet me mallra apo edhe makinat e akredituara të gazetarëve.

Ndër të tjera qytetarëve u është kërkuar gjithashtu që të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi dhe të shmangin vendet e populluara. Gjithsesi gjatë ditës së sotme, nuk kanë munguar qytetarë që i kanë thyer rregullat dhe për këtë janë vënë gjoba në qytete të ndryshme të vendit.

Mes të pabindurve është edhe deputeti i PS, Eduart Shalsi i cili është fotografuar në një rrugë të kryeqytetit. Si duket deputeti nuk e ka parë të arsyeshme të qëndrojë në shtëpi, por të paktën ka dalë në këmbë dhe jo me automjet.

12:02 Tronditëse, burri i infektuar në Fier ishte në të njëjtin avion me 73 vjeçaren nga Durrës që ndërroi jetë

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi edhe dhjetë raste të reja me koronavirus në Shqipëri duke e çuar numrin total të të prekurve në 33.

Vlen për t’u theksuar fakti se në Fier janë konfirmuar katër raste brenda 24 orëve.

Gazetarja Valbona Davidhi raporton për abcnews.al se një nga katër rastet e konfiruara në Fier është një 66 vjeçar nga Patosi, i cili është kthyer nga Italia më datë 3 mars.

Burime bëjnë me dije se 66 vjeçari nga Patosi ka qenë në të njëjtin avion me 73 vjeçaren që ndërroi jetë nga Durrësi. Më pas, 66 vjeçari ka shkuar me një furgon pasagjerësh nga Tirana për në Fier dhe më pas me një tjetër furgon nga Fieri për në Patos.

Po ashtu, gjatë ditëve që ka qendruar në Patos, burri ka marrë pjesë në një festë me të njohur duke u futur edhe në bashkinë e qytetit.

Kështu, ka dyshime se ai ka infektuar edhe të tjerë gjatë kësaj periudhe.

11:54 E RËNDË/ Mjeku në Durrës u infektua me koronavirus nga 73 vjeçarja që vdiq

Viktima e parë nga koronavirusi u shënua në spitalin e Durrësit ku humbi jetën një 73 vjeçare. 73 vjeçarja kishte ardhur nga Italia dhe kishte qëndruar në një dhomë me 2 paciente të tjera të cilat rezultuan pozitive.

Ndërkohë iu gjithë stafi mjekësor i spitalit që i kishte shërbyer 73 vjeçares iu nënshtruan analizave laboratorike. Sipas Ministrisë së shëndetësisë nga 39 mostra të marra të mjekëve, infermierëve, pacientëve vetëm 1 mjek rezultoi pozitiv.

Ai nuk ka simptoma por aktualisht qëndron i vetëizoluar dhe po hetohet për më tej.

Mjeku është infektuar nga 73 vjeçarja që ka qëndruar për 3 ditë në spitalin e Durrësit ndërkohë që Ministria e shëndetësisë ka pranuar sot infektimin e një prej stafit mjekësor.

Nuk dihet ende se me sa persona ka qenë në kontakt ky mjek, sa ka vizituar etj, përveç familjarëve dhe rrethit të tij miqësor.

11:51 33 të infektuar, 1 i vdekur nga koronavirusi: Rëndohet bilanci në Shqipëri

Është rritur me 10 raste të reja numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri. Në total, deri më tani kemi 33 raste të konfirmuara,ndërsa një person ka vdekur.

Vlen për t’u theksuar fakti se në hartën e zonave të prekurva ka hyrë edhe Fieri me katër raste njëherësh.

“Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19, për të cilët ju kemi informuar në daljet e mëparshme.
Në 24 orët e fundit janë realizuar edhe 159 testime të reja dhe kjo e çon numrin total të testimeve të kryera në 457.
Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, nga të cilat:
8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina)
25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi”, njofton ministria e Shëndetësisë.

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë 19 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 1 rast
Elbasan 2 raste
Fier 4 raste
Rrogozhinë 2 raste.

09: 50 Të pabindurit thyejnë rregullat, ushtria dhe policia gjoba e shoqërime në Durrës, Vlorë, Fier, Lezhë e Elbasan

Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit është parë një reduktim i qarkullimit dhe lëvizjes së qytetarëve në Vlorë, me sa duket disa prej tyre nuk i kanë rezistuar shumë qëndrimit të domosdoshëm në shtëpi.

Policia është duke ushtruar kontroll në qytet ku ka bllokuar deri më tani 11 automjete. Nga kontrollet e ushtruara në 33 makina që kishin thyer urdhrin, 22 automjeteve u janë marrë çelësat e makinave.

Në Durrës janë bllokuar 30 automjete pasi drejtuesit e tyre nuk respektuan urdhrin.

Po ashtu edhe në Fier disa qytetarë kanë tentuar të lëvizin. Nga kontrolli i ushtruar nga policia dhe ushtria 8 drejtues automjetesh janë shoqëruar në komisariat ndërsa janë marrë 21 masa administrative.

Në lidhje me 21 masat administrative të marra nga policia e Fierit, drejtori i qarkullimit rrugor të 2 qarkut Fier, Ylli Kondi, kjo masë ndaj drejtuesve ka ardhur pasi ata kanë thyer masat e vendosura nga qeveria. Ata janë kapur duke drejtuar automjetet e tyre private në rrugë dhe nuk kanë pasur asnjë autorizim për të lëvizur.

Në Elbasan janë ndaluar 20 të pabindurit dhe kjanë marrë masa administrative. Në këtë qytet janë ngritur 9 pika kontrolli të policisë, FNSH dhe ushtrisë. Ndaj këtyre shkelësve është marrë gjoba prej 4 mijë lekësh.

Masa administrative janë marrë edhe në Lezhë, po ashtu në këtë qytet ka patur edhe shoqërime në komisariat.

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar gjatë gjithë këtyre ditëve masat e marra dhe kanë bërë thirrje se shqiptarët duhet të mos dalin nga shtëpitë e tyre dhe duhet të kufizojnë në maksimum lëvizjet, të mbajnë distancë nga njëri tjetëri prej 2 m dhe të lajnë duart me ujë e sapun çdo 10 min dhe të shtojnë masat higjeno-sanitare.

09:40 Shqipëria në shtetrrethim, “bindet” Tirana, 5 të shoqëruar në Durrës: Probleme në disa qytete

Pjesa më e madhe e qyteteve të vendit, si Tirana, Shkodra, Vlora, Lezha, etj., janë në “shtetrrethim” për shkak të masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se rrugët e kryeqytetit janë krejtësisht bosh dhe vërehet një rritje e numrit të biçikletave në qarkullim. Në rrugët e Tiranës lëvizin vetëm makinat që kanë autorizim.

https://connect.facebook.net/de_DE/sdk.js#xfbml=1&version=v6.0

Koronavirusi LIVE

Shqipëria në shtetrrethim, “bindet” Tirana, 5 të shoqëruar në Durrës: Probleme në disa qytetePer informacionet me te fundit klikoni: Web: http://abcnews.al/Facebook: https://www.facebook.com/abcnews.al/Instagram: https://instagram.com/abcnewsalSubscribe kanalin tone ne: youtube:https://www.youtube.com/user/abcalbanian#abcnews #abcnewsalbania

Gepostet von Abc News Albania am Freitag, 13. März 2020

Ndërkohë që Tirana i është “bindur” urdhrit të policisë, janë hasur probleme në Durrës, Fushë-Krujë dhe rrethina, ku mjaft shoferë kanë dalë me makinat e tyre.

Pesë prej shoferëve “shkelës” në Durrës janë shoqëruar.

Të bindur shoferët kanë qenë edhe në Lezhë, ku gazetari Gjergj Figuri bën me dije se nuk janë hasur probleme të theksuara në këtë drejtim. Patrullat e policisë janë kudo në këtë qytet duke mos lejuar makinat që të lëvizin.

08:40 Mjeku tërheq vëmendjen: Qytetarët po bëjnë një gabim të rëndë si italianët

Pas vendimit të qeverisë, për të bllokuar hyrjen dhe daljen e mjeteve nga Tirana mëngjesin e së premtes, mjeku Pëllumb Pipero tha largimi i qytetarëve nga Tirana është një vendi i gabuar dhe shumë të rëndë. Mjeku e krahasoi këtë me sjelljen e italianëve, kur nisi të shfaqet koronavirusi.

“Me qindra automjete apo shqiptarë kanë udhëtuar nga Tirana  në drejtim të Korçës apo Shkodrës dhe Lezhës për fundjavë. Besoj se po bëjnë një gabim shumë të rëndë dhe është gabimi që bëri dhe Italia që në fazat e parë të kësaj epidemie, duke lejuar që veriun të ikte në jug. Përmes jush bëj një thirrje tjetër. Mirë që kanë vajtur po të paktën të jepet një urdhër i prerë që nesër të mos hapet asnjë shërbim. Është një gabim shumë i madh në këtë situatë. Gjysma e Tiranës mund të jetë në Pogradec nesër, është shumë gabim”, tha infeksionisti i njohur në “Opinion”.

07: 45 Basha mesazh stafeve mjekësore: Jeni heronjtë tanë! Mendja dhe zemra e çdo shqiptari është me ju!

Kreu i PD, Lulzim Basha u është drejtuar me një mesazh të gjithë mjekëve, të cilët i ka quajtur “heronjtë tanë”.

Basha shkruan mes të tjerash se mendja dhe zemra e çdo shqiptari është me ta, në këtë situatë të vështirë si pasojë e përhapjes së koronavirusit në vend.

Mesazhi nga Lulzim Basha:

Të dashur mjekë, infermierë dhe punonjës të shëndetësisë kudo në Shqipëri dhe personeli i Spitalit Infektiv në Tiranë!

Jeni heronjtë tanë!

Mendja dhe zemra e çdo shqiptari është me ju! Zoti ju dhëntë forcë dhe kurajo për ta përballuar këtë sfidë që kemi përpara! Në këto kohë ju nuk jeni vetëm prindër, bashkëshortë, bijë e bija, motra dhe vëllezër të familjarëve tuaj, por të të gjithëve ne bashkqytetarëve tuaj.

Mirënjohje të thellë kombëtare për secilin prej jush! Askush nuk ju sheh çuditshëm, e gjithë Shqipëria ju sheh me admirim për punën dhe përkushtimin tuaj!

Zoti ju bekoftë ju dhe të afërmit tuaj!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

07:17 23 të infektuar, Tirana në “shtetrrethim” nga koronavirusi

Tiranë është zgjuar bosh si anjëherë më parë këtë mëngjes. Pas urdhrit për ndalimin e qarkullimit rrugët e kryeqytetit janë thuajse bosh.

Të vetmit që lëvizin janë automjetet që kanë marrë leje. Një masë e tillë u mor dje nga pasi u konfirmuan 23 të prekur nga koronavirusi në vend. Ndërkaq, prezente janë postoblloqet e policisë që prej mbrëmjes së djeshme, të cilë vijojnë me kontrollet.

Po ashtu vijojnë të jenë të mbyllura baret dhe restorantetet, palestrat, lokalet e natës, etj. E njëjta situata mbizotëron edhe në qytetet e tjera të vendit.

Në një lidhje direkte për “Abc-ja e mëngjesit”, gazetarja Xhensila Kodra raporton se nga vëzhgimi duket se në pjesën më të madhe të automjeteve që lëvizin është vetëm një person, shoferi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re