Skip to content

Koronavirusi/ Manastirliu: S’ka të prekur në Shqipëri, po kontrollohen imtësisht udhëtarët

Asnjë i prekur nga koronavirusi në Shqipëri. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi këtë të hënë se janë marrë të gjitha masat dhe se kontrollohet po kryhen imtësisht për çdo udhëtar. Në mbledhjen e task-forcës për koronavirusin, ajo tha se janë dyfishuar strukturat për të përballuar situatën.

 

“Masat e shtuara kanë të bëjnë me dyfishimin e strukturave tonë në pikat e kalimit kufitar. Po bëhet vlerësim i imtësishëm i të gjithë udhëtarëve, në raport me vendin nga vijnë, për të pasur më pas një gjurmim të çdo rasti. Po vijon trajnimi kaskadë në të gjithë strukturat e kujdesit shëndetësor në gjithë Shqipërinë, për vendosjen në gjendje të gatishmërisë, për informacionet dhe protokollet e ndjekjes e trajtimit të simptomave të kësaj sëmundje. Jo vetëm po vijon forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore, por puna ka qenë edhe me strukturat paralele, kufirin, policinë, arsimin.”

 

Ministrja bëri thirrje që të ruhet qetësia dhe të besohen vetëm informacionet zyrtare.

 

“Jemi të përgjegjshëm dhe duhet të ecim me transparencë maksimale me publikun, për të gjitha masat që jemi duke ndërmarrë. Komunikimin me publikun e kemi thelbësor për të shmangur çdo dezinformim. Edhe dje jo pak mesazhe kanë qarkulluar që kanë nxitur panik. Nuk është koha që paniku t’i zë vendin arsyes. Është koha të vlerësojmë dhe dëgjojmë ekspertët, që në Shqipëri nuk mungojnë, të cilët po ndjekin planin e veprimit të miratuar nga tas-forca dhe strukturat në qeverinë shqiptare.”

 

Ogerta Manastirliu pranoi se në vendin tonë janë dyshuar gjashtë raste si të infektuar nga virusi vdekjeprurës. Por ajo sqaroi se pas analizave, ata kanë rezultuar negativë.