1.1 milionë njerëz janë infektuar nga pandemia e koronavirusit, e cila ka vrarë më shumë se 60 mijë persona në të gjithë botën.

Ndërkohë  edhe Dubai ka filluar të marrë masa për të parandaluar përhapjen e COVID-19, duke njoftuar mbylljen në shtëpi për 2 javë. Supermarketet e farmacitë do të jenë të vetmet që do të vijojnë që të funksionojnë normalisht.

SHBA ndërkohë po bëhet epiqendra e re e pandemisë, duke shënuar 8,454 të vdekur dhe 311,635 të infektuar. Nga ana tjetër edhe Europa është ‘gjunjëzuar’. Mbretëria e Bashkuar kaloi ditën me më shumë të vdekur brenda ditës, plot 684 të tillë, duke e çuar totalin në 4313, ndërkohë që pozitivë kanë rezultuar 41,903 persona.

Rastet e konfirmuara të koronavirusit në Turqi kanë arritur në 23.934, një rritje prej më shumë se 3,000 personash brenda 48 orëve të fundit. Numri i të vdekurve në Spanjë ka shkuar në 11,947, megjithatë është vënë re një trend në ulje.

Numri i vdekjeve të koronavirusit në Francë ka arritur në 7,560 që nga 1 marsi, kur edhe u identifikua rasti i parë. Deri më tani 68.606 janë raste të konfirmuara, nga të cilët 28.143 pacientë po trajtohen në spital.

Italia gjithashtu vijon që të jetë problematike dhe të mos njohë ndryshime, duke shënuar 15,362 të vdekur, nga 124,632 të infektuar gjithsej.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re