Presidenti i Republikës Ilir Meta ka takuar sot 4 mjekë të njohur lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi. Në një postim në “Facebook” Meta informon për takimin me profesor Isuf Kalon, mjekët Fadhon Meksi, Andrea Gudha dhe Tritan Shehu, për të cilët thotë se e njohën me pikëpamjet e tyre për tejkalimin e kësaj situate të vështirë.

Kreu i Shtetit thekson se përfshirja e kapaciteteve të çmuara njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor, është hap vendimtar për suksesin e tejkalimit të kësaj sfide madhore.

“Sot prita me kërkesën time katër personalitete të shquara të shëndetësisë shqiptare, me të cilët ndamë disa shqetësime për situatën e shkaktuar si pasojë e përhapjes në vendin tonë të #COVID_19, si dhe për marrjen e të gjitha masave të domosdoshme për të mos lejuar përshkallëzimin.

Profesor Isuf Kalo, mjeku i parë shqiptar në stafin permanent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kopenhagen, mjekët e nderuar dhe me një eksperiencë të jashtëzakonshme në sistemin shëndetësor, Fadhon Meksi dhe Andrea Gudha, si edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu më njohën me pikëpamjet e tyre shumë të vyera për tejkalimin me pasoja sa më të lehta të kësaj situate të vështirë, që në vlerësimin e përbashkët kërkon përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim të ngushtë dhe transparencë.

Së bashku vlerësuam punën e jashtëzakonshme të të gjithëve mjekëve, infermierëve, sanitarëve dhe personelit mbështetës që janë duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, duke theksuar se përfshirja e kapaciteteve të çmuara njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor, është hap vendimtar për suksesin e tejkalimit të kësaj sfide madhore.
Thirrja jonë për çdo qytetar është të tregojë kujdes maksimal dhe të zbatojë me rigorozitet të gjitha këshillat dhe rekomandimet e autoriteteve!
SË BASHKU PËR TË MBROJTUR SHËNDETIN E ÇDO QYTETARI! ”, shkruan Presidenti Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re