Mjeku Genc Sulçebe ka deklaruar në emisionin “Opinion” se koronavirusi është një virus i ri, që as mjekësia nuk e njeh. Ai theksoi se vdekshmëria nga ky virus varet nga popullata dhe mosha e personave që preken.

“Është një skenar që ndodh njëherë në 100 vjet. Ka ndodhur në 1918, me gripin spanjoll dhe kanë vdekur deri në 40 milionë veta. Sot këto skenarë apokaliptikë nuk mund të ndodhin se kemi një teknologji shumë më të avancuar.

Deri tani në të gjithë globin janë 70 mijë vetë, ndërkohë që kemi 7 miliardë njerëz. Është një virus i ri, popullata botërore nuk e njeh. Sistemi imunitar i popullatës botërore nuk e njeh këtë virus që ka pësuar mutacion.

Që të krijojë imunitet, atëherë duhet të bjerë në kontakt me këtë virus, pa rënë në kontakt me virus, ai nuk krijon imunitet dhe këtu duhet të njohim dhe të kemi besim tek sistemi imunitar i njeriut.

Vdekshmëria varet nga popullata ku ndodh. Nëse flasim për vdekshmëri, ajo shkon nga 3 deri në 4% në Kinë, po aty në Itali, ndërsa në Kore, shkon deri në 0.8%. Ka të bëjë gjendja imunitare e popullatës dhe moshën.”, u shpreh ai.

Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 51 të prekur. Shkon në 7 numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar, nga Spitali i Durrësit dhe spitali “Shefqet Ndroqi”. Disa ditë më parë një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit ndërsa deri më tani vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier.

Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private.

Dy ditë më parë u miratua dhe Akti Normativ, që detyron spitalet private që të jenë në shërbim të shtetit gjatë periudhës së emergjencës dhe kush nuk bindet do ketë gjobë deri në 5 milionë Lekë.

Po ashtu gjoba do ketë dhe për ata që thyejnë rregullat e vendosura nga qeveria. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re