Mjeku infeksionist në QSUT, Pëllumb Pipero, tha se mundësitë janë të mëdha që Shqipëria të ketë raste të infektuar me koronavirus.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, mjeku infeksionist deklaroi se shëndetësia ka të gjitha kapacitetet për të trajtuar rastet e para të prekur me këtë virus vdekjeprurës, ndërsa shtoi se ka dhe një laborator me standarde bashkëkohore, që mund të nxjerrin analizat brenda ditës.

“Mundësitë janë të mëdhaja që ta kemi një rast. Janë marrë të gjitha masat, që një rast, që vjen si i dyshuar, pra ka shenjat e gripit dhe kthehet nga një zonë ku koronavirusi është i lartë, përballet me personel të veshur tërësisht, futet në dhomën e veçantë, që është e izoluar, me aspirator. Unë jam kundër karantinës së ekzagjeruar, unë mund të bëj karantinë për një person që vjen nga Italia ose Kina, i vë termometrin në Rinas dhe është me temperaturë, dhe e mbaj disa orë, derisa të vërtetoj nëse ka apo jo koronavirus. Vështirësia në frymëmarrje është shenjë e rëndësishme klinike, që tregon koronavirusin.

Asnjë vend në botë, sado i sofistikuar e i pasur të jetë, nuk i ka kapacitet për të përballuar një virus. Rasti i Kinës e tregoi këtë. Pra, momenti i parë është shumë i vështirë, se nuk dihet sa të prekur do ketë. Unë them që kemi të gjitha kapacitetet të mirëadministrojmë rastet e para. Kemi një laborator të standardeve bashkëkohore, që në disa orë vë diagnozën. Jap mesazhe realiste, jo qetësuese, pra i kemi të gjitha kapacitetet të përballemi për fazën e parë, më tej kapacitetet do të krijohen në bazë të situatës”, tha mjeku.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re