Pandemia e koronavirusit të ri po ndryshon rrënjësisht kremtimin e Pashkëve në Shqipëri dhe jo vetëm.
Drejtuesit e besimeve kryesore fetare në Shqipëri i janë bashkuar përpjekjes së autoriteteve që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, e si pasojë janë pezulluar ritet fetare.
Besimtarët e krishterë nuk kanë mundësi që të shkojnë në kishë për të ndjekur ritet fetare, por duket se meshtarët kanë gjetur një tjetër mënyrë.
Kishat do të vijojnë të mbyllura për besimtaret deri në tejkalimin e situatës së krijuar, si e vetmja mënyrë kjo për të ndaluar përhapjen e virusit.
E teksa katolikët qëndrojnë në shtëpi të izoluar, kanë mundësi që kremtimet e meshën t’i ndjekin live me video në rrjetet sociale.
Madje edhe Papa Françesko ka bërë para disa ditësh një lutje të jashtëzakonshme në kohën kur koronavirusi ka gjunjëzuar mbarë Italinë dhe shumë vende të tjera të botës.
Ati i shenjtë iu drejtua besimtarëve nga bazilika e boshatisur e Shën Pjetrit dhe lutja e tij u transmetua live. Papa kishte nxjerrë nga Bibla citime që flisnin për kohë “sprove”. “Të lutemi Zot, mos na lër përballë stuhisë”, tha Papa argjentinas.
Lidhur me këtë, mediat italiane shkruanin se një “gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në histori”, duke iu referuar mungesës së njerëzve.
Ndërkohë një ditë më parë, Papa Françesku ka qenë në një lidhje telefonike të drejtpërdrejtë me specialen e lajmeve te Rai1, për të folur për mjekët, infermierët të cilët po ndihmojnë njerëzit që vuajnë nga koronavirusi.
“Sot, në këtë moment, unë mendoj për Zotin e kryqëzuar dhe tregimet e shumta në histori për kryqëzimet dhe ato të sotmet e kësaj pandemie. Mendoj për mjekët, infermierët, murgeshat dhe priftërinjt që vdiqën në front si ushtarë”, tha Ati i Shenjtë.
“Ata dhanë jetën për dashuri po aq rezistente sa Maria, nën kryqet e komunitetit të tyre, të spitaleve, etj. duke u kujdesur për të sëmurët”, tha Papa drejtpërdrejt.
