“Nëqoftëse ju pyesni veten a mos është i ekzagjeruar reagimi për të anuluar grumbullime të mëdha apo aktivitete publike (dhe unë e dashuroj basketbollin), ja ku e keni një skicë të dobishme, për se si masa të tilla mund ta ngadalësojnë përhapjen e virusit dhe të shpëtojnë jetë. Ne duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot këtë postim të Presidentit Barak Obama, që i referohet dy kurbave të famshme që na tregojnë se si epidemia përhapet në formë shpërthyese dhe rastet e rënda rriten lart me shpejtësi, brenda një kohe të shkurtër, duke e futur në kolaps sistemin shëndetësor.

“Kurba e kuqe tregon shumë më tepër pacientë për trajtim intensiv, se sa shtretër, pajisje dhe mjekë në dispozicion, kur nuk merren masa shtrënguese ose se si epidemia përhapet në formë graduale dhe rastet e rënda rriten në proporcion më të drejtë me kapacitet e sistemit shëndetësor. Kurba gri, ku shihet qartë shtrirja në kohë e përhapjes së virusit, që sjell nga njëra anë avantazhin e mundësisë së sistemit për ta përballuar më mirë nevojën për kurimin e rasteve të rënda dhe nga ana tjetër, avantazhin që mund të na japë me daljen e dimrit rritja e temperaturave në dobësimin e virusit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “masat shtrënguese luajnë rol vendimtar në këtë luftë dhe sa më i goditur të jetë plani i përshkallëzimit të tyre, aq më e përballueshme është goditja e virusit, i cili gjithsesi shpërndahet, po tjetër janë pasojat kur përparon shpejt dhe krejt tjetër kur përparon ngadalë”.

“Unë kam besim se plani i përshkallëzimit që po ndjekim do të na japë rezultat, nëse të gjithë do të japin dorën e tyre dhe me ndihmën e Zotit, nuk do të humbasim vendosmërinë e durimin”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re