Skip to content

Koronavirusi/ Tirana infekton Pogradecin, bashkia në alarm rikthen izolimin…

Rastet e të infektuarve me koronavirus ka prekur edhe qytetin e Pogradecit, i cili në shpërthimin e pandemisë në muajin mars nuk kishte asnjë të prekur.

Ditën e sotme janë shënuar katër raste të reja, duke e çuar në 7 numrin gjithsej. Sipas Abc Neës mësohet se rastet e reja janë të gjithë persona kontakti të rasteve të para.

Për këtë situatë të re, bashkia e Pogradecit ka apeluar që qytetarët të jenë sa më të kujdesshëm. Fillimisht tre rastet e para u shënuan në qendrën shëndetësore të këtij qyteti.

“Për më shumë se 3 muaj Pogradeci i rezistoi virusit falë masave të marra nga ana jonë, Policia, Njësia e Kujdesit Shëndetësor dhe institucione të tjera. Me keqardhje ju njoftojmë se sot janë konfirmuar 3 raste me Covid19 në Pogradec, persona kontakti në kryeqytet. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve njësive të shërbimit, marketet, tregtarëve etj, të zbatojnë masat e higjienës, të përdoren masa mbrojtëse si (maska, doreza dhe dezinfektantë) shmangni grumbullimet masive dhe kontaktet me njerzit. Të gjitha këto masa do të izolojnë virusin dhe pse jo shumë shpejt të dalim nga harta e qyteteve të prekura”, thuhet në njoftimin e bashkisë së qytetit të Pogradecit.

Por bashkia nuk është ndalur më kaq, duke kërkuar që të mos dalin nga shtëpia personat e moshës së tretë.

“Apel i drejtpërdrejtë për moshën e tretë të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin çdo kontakt. Grupet e punës janë në terren për monitorimin e zbatimit të masave dhe për shkelësit do ketë penalitete të rënda”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Pogradeci është një qytet që frekuentohet në mënyrë masive në muajt qershor e korrik, ku është edhe piku i sezonit turistik. Shumë qytetarë nga Tirana, Durrësi e Elbasani pushojnë atje në këtë stinë të nxehtë pranë, ku shumë prej atyre kanë blerë edhe apartamente.

Në Shqipëri një ditë  më parë në vendin tonë janë konfirmuar pozitiv me koronavirus 53 raste të reja duke e çuar në 1891 numrin e përgjithshëm të infektuarve, mes të cilëve 43 kanë humbur jetën.

/shqip