Skip to content

Korrupsion, trafik droge, aksident me pasojë vdekje dhe ngacmim seksual. 29 efektivë të policisë nën akuzë për vitin 2021

29 raste të procedimeve ose arrestimeve të punonjësve të Policisë, përfshirë atyre të rëndit, SHÇBA-së, kufirit dhe RENEA-s kanë ndodhur përgjatë vitit 2021 në Shqipëri. Ndër veprat më të rënda që kanë kryer, janë trafikimi apo ndihma në trafikun e nërkotikëve, abuzim me detyrën e falsifikim dokumentash, por edhe aksidente me pasoja të rënda për jetën.

Më 13 qershor Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ( SHÇBA) arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë Lavdosh Metaj 38 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, forcat “Shqiponja” në Komisariatin e Policisë  Sarandë. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.  Arrestimi u krye pas një hetimi disa mujor ku u grumbulluan fakte se punonjësi i policisë Metaj kryente në mënyrë sistematike shpërndarje të narkotikëve në ambjente të populluara argëtimi me muzikë në Sarandë.

Gjatë kontrollit personal të kryer në kushtet e kapjes në flagrancë, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lënda e dyshuar narkotike e llojit kokainë në sasinë 5 gramë, e ndarë në 11 doza. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së punonjësit të policisë u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi prej 165 grame lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kokainë dhe një peshore që përdorej për peshimin e saj në procesin e ndarjes në doza. Këtë veprimtari të kundraligjshme, i arrestuari e kryente gjatë kohës së shërbimit dhe jashtë saj. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet e mëtejshme për të dokumentuar veprimtarinë e bashkëpunëtorëve të tjerë mes rradhëve të strukturave policore, apo jashtë saj.

Më 9 qershor inspektori Paulin Pjetri 52 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Durrës, hyn në filtrin e hetimit për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”; “Drejtim i mjetit motorik në mënyrë të pa rregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit“.  Më datë 06.06.2021, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 18, rruga “Sulejman Pitarka”, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, efektivi ka aksidentuar rëndë 33-vjeçarin Edison Kumria i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.

Më 24 Maj Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me prokurorët e SPAK arrestoi në flagrancë shtetasin K.R., 53 vjeç, me detyrë Inspektor i parandalimit në MNZSH pranë Bashkisë Fier.  Ai dyshohet për veprat penale të “Korrupsionit pasiv, i kryer nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje dhe armëve të ftohta”.

Arrestimi u krye pas një hetimi proaktiv, prej të cilit u administruan të dhëna që implikonin shtetasin K. R. në veprimtari dhe akte korruptive të vazhdueshme ndaj disa subjekteve private që ushtronin aktivitetin e tyre në territorin e Bashkisë Fier, në fushën e tregëtisë me shumicë. Ai dyshohet se ka keqpërdorur atributet ligjore përmes ushtrimit të presionit për vendosje gjobash dhe masa të rënda administrative ndaj subjekteve, duke kërkuar dhe marrë shuma monetare për të mos i aplikuar këto masa.

Më 24 Maj pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit u dokumentua me prova ligjore zbardhet veprimtaria e kundraligjshme e punonjësit të Policisë Edvin Sinani, i cili kryente funksionin e specialistit për narkotikët në Drejtorinë Vendore Policisë Durrës. Ai dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit të Durrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësit të Policisë.

Gjithashtu, specialisti i Antidrogës në bashkëpunim me këta shtetas, organizohej duke i veshur me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike dhe më pas i lironin duke mos ushtruar ndjekje penale ndaj tyre. Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi caktimin në mungesë të masës së sigurimit personal ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” ndaj shtetasit Edvin Sinanit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”. Për bashkëpunëtorët e tij, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Më 18 maj Drejtoria Rajonale e SHÇBA Shkodër – Lezhë arrestoi në flagrancë 1 punonjës policie dhe 1 shtetas tjetër, pasi ndërsa drejtonin automjetet e tyre, janë përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik, ku ndërruan jetë 2 shtetas Eglis Delaj dhe Sergjo Kukaj secili përkatësisht.

Në vendin e quajtur “Omaraj”, Njësia Administrative Gruemirë në Malësinë e Madhe janë përfshirë në aksident, një mjet tip “Audi” me drejtues shtetasin Vehbi Nikaj dhe një mjet tip “Mercedes Benz“ me drejtues shtetasin M.B., me të cilin udhëtonin si pasagjerë shtetasit dy të rinjtë.  Automjetet e përfshira në aksident po udhëtonin me drejtimin Koplik – Shkodër. Drejtuesi i automjetit “Mercedez” pasi ka humbur kontrollin e mjetit është përplasur me kolonën e një muri rrethues.

Si pasojë e kësaj përplasje ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Sergjo Kukaj, ndërsa shtetasi Eglis Delaj ndërroi jetë teksa po transportohej për në spitalin rajonal. I dëmtuar nga ky aksident ka mbetur edhe drejtuesi i automjetit “Audi“. Grupi hetimor ka siguruar pamjet filmike nga momenti i aksidentit dhe pas hetimeve në vendngjarje kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve: M.B., 19 vjeç; Vehbi Nikaj 53 vjeç, me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe.

Më 4 maj Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka ekzekutuar urdhërin e ndalimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, në ngarkim të një punonjësi policie, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, për veprën penale, “Ngacmim seksual”. Ndalimi i 62-vjeçarit u krye pasi dyshohet se në datë 29 prill 2021, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur.

Nga hetimi  ka rezultuar se punonjësi i policisë Kol Kola ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë, e duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim. Aty dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale.

Këto veprime janë kundërshtuar nga e mitura, e cila u largua me forcë nga banesa. Nisur nga kallzimi i të miturës dhe nga verifikimet paraprake  të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se polici Kol Kola ka konsumuar elementë të veprës penale “Ngacmim seksual”.

Më 14 prill SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka arrestuar 1 punonjës policie dhe 3 shtetas të tjerë në lidhje me ngjarjen e Mamurrasit, ku mbetën të plagosur 3 persona. Në datë 13 prill 2021 në Qendër Mamurras, rreth orës 13:50, tre shtetas kanë goditur me sende të forta, një punonjës policie, i cili në kushtet e vetëmbrotjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi dhe dy kolegët e tij, punonjësit e policisë Ilir Zeka dhe Flamur Lleja.

Ngjarja ka ndodhur pasi punonjësit e policisë të Stacionit të Policisë Mamurras, në orët e paradites, kanë kryer kontroll në ambjentet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F. për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Gjatë ushtrimit të detyrës punonjësi e policisë kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit Nikoll Vorfi allias Fufi, i cili është shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Mamurras. Pas sqarimit të situatës, personi është lënë i lirë.

Rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërrruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit i kanë dalë përpara punonjësve të policisë me qëllim goditjen me mjete të forta. Ndodhur para këtij fakti, punonjësi i policisë David Medani, 45 vjeç, ka qëlluar me armë duke plagosur personat e sipërpërmendur.  SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka kryer veprimet hetimore të nevojshme dhe në 13.04.2021 u bë arrestimi në flagrancë i 3 shtetasve: Gjon Fufi, 40 vjeç, Nikoll Fufi (e ka ndryshuar mbiemrin në Vorfi), 36 vjeç dhe Rudolf Fufi, 31 vjeç, të tre lindur e banues në Mamurras.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim. Nga grupi i posaçëm hetimor u sekuestruan si provë materiale 3 gëzhoja nga arma e zjarrit në posedim të punonjësit të policisë David Medanit si dhe automjeti tip “Porsche Cayen” me të cilin udhëtonin autorët e dyshuar të ngjarjes. Gjithashtu nga tërësia e veprimeve hetimore dhe pasojat e ardhura nga përdorimi i armës së zjarrit, u bë arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë Inspektor David Medani 45 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Stacionit të Policisë Mamurras, për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia” i cili disa ditë më pas u la i lirë.

Më 9 shkurt SHÇBA ekzekutoi vendimin “Arrest në burg” për 2 punonjës policie të dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Drejtoria Rajonale e SHÇBA Kukës-Dibër ekzekutoi vendimin për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, si dhe urdhërit të Prokurorit për punonjësit e policisë: Nënkomisar F. Gj., specialist i Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban, pranë Komisariatit të Policisë Tropojë, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës; Inspektor B.Rr., specialist i Seksionit të Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban, pranë Komisariatit të Policisë Tropojë, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës.

Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se në 27 janar, në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Kukës- Dibër, është paraqitur përfaqësuesi i një kompanie sigurimesh, i cili ka bërë kallëzim penal se në datë 16 janar 2021, është njoftuar nga një shtetas se ka ndodhur aksident në rrugën Tropojë – Lekbibaj, ku janë përplasur dy mjete. Shoferit i është thënë nga punonjësit e policisë, se fajtor është mjeti i siguruar tek kjo kompani sigurimi. Pas materialit kallëzues u krye hetim administrativ për rrethanat e aksidentit dhe përcaktimin objektiv të fajtorit si dhe veprimet e punonjësve të policisë në raport me ngjarjen. Dyshohet se dy punonjësit e Policisë Rrugore kanë shpërdoruar detyrën e falsifikuan dokumentet.

Më 21 Janar SHÇBA dhe strukturat e tjera ligjzbatuese arrestuan në flagrancë 2 punonjës policie, 2 doganierë dhe 1 shtetas për kontrabandë e shpërdorim detyre . Veprimet në kuadër të operacionit “Transportuesi”. Pas veprimeve të para hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, SHÇBA arrestoi në flagrancë punonjësit e policisë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”: N/komisar P.B., 53 vjeç, Përgjegjës Turni në PKK Goricë; Inspektor R.D., 53 vjeç, Ndihmës/Specialist kontrollor në PKK Goricë.

Arrestimi i tyre u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera është provuar se në momentin kur mjeti me drejtues shtetasin N.N. është paraqitur në hyrje të RSH, nuk kanë ushtruar detyrën funksionale në vendin e shërbimit, duke lejuar kalimin e mallrave kontrabandë. Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se punonjësit e Policisë, edhe pse kanë patur pamje vizuale të mallit, me mosveprim kanë favorizuar veprimet e kundërligjshme të punonjësve të doganës dhe këtij shtetasi për kalimin e mallit pa kryer procedurën e zhdoganimit.

Më 13 Janar PEZULLOHET EFEKTIVI I SHÇBA, I PËRFSHIRË NË KONFLIKT, DERI NË PËRFUNDIM TË HETIMEVE . Drejtoria e Përgjithshme e SHÇBA pas marrjes në dijeni të një konflikti të ndodhur mes një punonjësi të SHÇBA dhe disa punonjësve të Policisë Bashkiake Tiranë, vendosi pezullimin nga detyra, si edhe fillimin e ecurisë disiplinore për shkelje të rëndë ndaj Nd/specialistit të përfshirë në këtë konflikt, Ardit Zenelaj me detyrë Trupë Shërbimi pranë Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA, deri në përfundim të hetimit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

5 Janar  në TIRANË – SHÇBA PROCEDON 7 PUNONJËS POLICIE PËR SHPËRDORIM DETYRE, PAS LARGIMIT NGA KOMISARIATI NR. 1 TË NJË TË ARRESTUARI. Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Tiranë ka kryer veprimet e para hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 4 janar, ku shtetasi Rijlon Lala 30 vjeç, i arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, në shoqërim e sipër nga Patrulla u largua nga ambientet e Komisariatit Nr. 1, teksa po kryheshin procedurat për marrjen e gjurmëve të gishtave.  Në vijim të veprimeve paraprake, nga dinamika në bazë të këqyrjes së vendit të ngjarjes, pamjeve filmike, deklarimeve të marra punonjësve të Policisë, si dhe pas komunikimit me prokurorin e Prokurorisë Tiranë, SHÇBA ka referuar materialet procedurale në gjendje të lirë, për 7 punonjës policie:

Inspektor M.B., 60 vjeç, Trupë Shërbimi në Seksionin e Ruajtjes së Rendit dhe Patrullës së Përgjithshme; Inspektor M.Xh., 53 vjeç, Nd/specialist në Zyrën e Informacionit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë; Inspektor Gj.F., 51 vjeç, Nd/specialist në Zyrën e Informacionit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë. Ata dyshohet se kanë shkelur procedurat standarde të punës të vendosura për rastet e shoqërimit të të arrestuarve/ndaluarve nga Dhomat e Izolimit në ambiente të tjera, duke mos zbatuar me korrektësi dhe duke sjellë si pasojë largimin e shtetasit Riljon Lala.

Inspektor A.D., 51 vjeç, Përgjegjës në Dhomat e Paraburgimit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë; Komisar R.Sh.,45 vjeç, Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë; N/Komisar Gj.Gj., 47 vjeç, Specialist i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë.

Duke qenë në rolin e menaxherit ata kanë përgjegjësi për ushtrimin e kontrolleve dhe forcimin e disiplinës për zbatimin e rregullores së shoqërimit të të arrestuarve/ndaluarve në dhomat e shoqërimit, gjatë lëvizjes së tyre. Inspektor F.K., 50 vjeç, Laborant i Policisë Shkencore në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë.

/faxweb