Gjatë tre viteve të ardhshme, edukimi ligjor në shkolla me fokus në luftën kundër korrupsionit do të shtrihet në gjashtë qarqe të vendit, duke u bërë pjesë e kurrikulës në arsimin para universitar.

 

Marrëveshja e firmosur mes ministrisë së Drejtësisë, asaj të Arsimit dhe ambasadës Italiane parashikon që mësuesit të trajnohen nga ekspertë të dy ministrive dhe partnerët italianë.

 

 “Në vitin 2021 ne e kemi pilotuar me sukses projektin e edukimit antikorrupsion në katër shkolla të Tiranës në sajë të këtij bashkëpunimi. Prandaj sot ne vendosëm ta ngremë këtë bashkëpunim në një tjetër nivel, me një angazhim më të madh, për ta shtrirë edukimin në dymbëdhjetë shkolla në gjashtë qytete të vendit”, tha ministri Manja. 

 

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu nuk përjashtoi mundësinë që edukimi ligjor të integrohet edhe në arsimin e lartë.

 

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm, një projekt i vili vërtet do të shtrihet në 12 shkolla në këto tre vite ku mësuesit do të trajnohen, shumë evente dhe ngjarje do të realizohen në shkollë sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe ndërgjegjësimit të nxënësve dhe komunitetit por nga ana tjetër ne do të vlerësojmë mundësitë për ta shtrirë edhe në arsimin e lartë”, tha Manastirliu. 

 

Ambasadori Italian në Shqipëri, Fabricio Buci nënvizoi se puna me të rinjtë është vendimtare për të rritur ndërgjegjësimin për  rendësinë e luftës kundër korrupsionit.

 

“Korrupsioni nuk ka vetëm karakter penal por edhe një dimension shumë të rëndësishëm kulturor. Prandaj duhet t’ia nisim nga shkollat, nga të rinjtë që duhet të kuptojnë se ligji nuk na kufizon lirinë por respektimi i tij e bën jetën më të mirë për të gjithë ne”, tha Buci.

 

Referuar raporteve ndërkombëtare, korrupsioni në Shqipëri vijon të mbetet ne nivele shqetesuse./vizionplus.tv

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re