Korruptoi policin dhe vodhi 200 mijë litra naftë në Portin e Durrësit, ekstradohet 31-vjeçari nga Spanja


Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Madrid, është finalizuar në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar me iniciale J.K, 31 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

31-vjeçari akuzohet nga SPAK se, në muajin shkurt, 2025, korruptoi punonjësit e Policisë dhe vodhi në bashkëpunim me shtetas të tjerë, 200,000 litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit, njofton Policia e Shtetit.

Në muajin shkurt, 2025, GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.