Kosova ka dënuar ashpër fjalimin që presidenti serb Aleksandër Vuçiç mbajti në Asamblenë e Përgjithsshme të Kombeve të Bashkuara.

 

Ministrja e Punëve të Jashtme , Donika Gërvalla i ka hedhur poshtë deklarimet e tij lidhur me Republikën e Kosovës duke i quajtur ato të pavërteta dhe tentativë për shtrembërim të historisë.

 

DONIKA GËRVALLA

MINISTRE E KOSOVËS PËR PUNËT E JASHTME

 

“Me këto shpifje dhe përpjekje për shtrembërim të historisë, Presidenti i Serbisë ka keqpërdorur rëndë foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëse ka një ngjashmëri mes agresionit rus në Ukrainë dhe rastit të Kosovës, ajo është vetëm te fakti se Rusia sot ka marrë në shënjestër Ukrainën dhe ukrainasit ashtu si Serbia më 1999 kishte marrë në shënjestër Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës.”

 

Ministrja Gërvalla tërheq vëmendjen se me paraqitjen e tij në OKB, ALeksandër Vucic ka shkelur zotimet që i ka dhënë BE-së për marrëveshjen e dakorduar të normalizimit të marrëdhënieve.

 

“Neni 2 i marrëveshjes përcakton qartë se raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të ndërtohen bazuar në parimet e Kartës së OKB-së, posaçërisht atyre që ndërlidhen me barazinë sovrane të shteteve, respektimin e ndërsjelltë të pavarësisë dhe integritetit territorial. Më atë Marrëveshje, Presidenti i Serbisë është pajtuar edhe që Serbia të mos flasë në emër të Republikës së Kosovës në forumet ndërkombëtare, dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.”

 

Sa i takon ngecjes së procesit të dialogut, Gërvalla ka theksuar se Kosova, ndryshe nga Serbia, ka pranuar marrëveshjen e Ohrit, ka pranuar firmosjen e saj si dokument detyrues ndërkombëtar, dhe insiston në zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të saj.

 

Ministrja e Jashtme e Kosovës i ka bërë thirrjebashkësisë ndërkombëtare të dënojnë gjuhën që Vuçiç përdori në OKB dhe ti kujtojnë atij detyrimet që burojnë nga dakordmet në Bruksel e Ohër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re