Autoritetet në Kosovë thanë se është fituar çështja me kompaninë “Axos GMBH”, e cila kërkonte nëpërmjet gjykatës së arbitrazhit dëmshpërblim për anulimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpriti njoftimin duke theksuar se “Kosova gjithmonë do t’i mirëpresë investimet e huaja”, por asnjëherë nuk do të lejojë të keqpërdoret si shtet.

Në prill të vitit 2013, kompania gjermane AXOS Capital fitoi tenderin për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, me vlerë prej 277 milionë eurosh.

Por, më 31 dhjetor 2013, Ministria e Zhvillimit ekonomik dhe Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së thanë se data 30 dhjetor 2013 kishte qenë data e fundit e mundshme për nënshkrim të kontratës dhe kjo mori fund, meqë qeveria nuk siguroi dot atëbotë mbështetjen e parlamentit për privatizim.

Kompania AXOS më pas e dërgoi çështjen në arbitrazh duke kërkuar dëmshpërblim prej rreth 400 milionë eurosh. Qeveria e Kosovës, është përfaqësuar në arbitrash nga kompania “Paton Box”.

Duke publikuar përfundimin e procesit, presidenti Hashim Thaci shkroi në rrjetet sociale se “e drejta dhe të gjitha argumentet në rastin e padisë se AXOS-it ishin në favorin e Kosovës. Si shtet i pavarur dhe sovran jemi pjesë e Arbitrazhit, sepse besojmë në këtë institucion dhe në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare. Kemi ndërtuar kapacitete për të tërhequr investime të huaja, mirëpo edhe për t’i mbrojtur interesat e shtetit tonë nga pretendimet e paqëndrueshme”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha në një bisedë më Zërin e Amerikës se humbja do të ishte shumë e rëndë, ndërsa përfundimi i procesit duhet të jetë mësim për Kosovën. “Kjo për ne është me rëndësi ta dimë që Kosova në privatizimet e ardhme, të aseteve shumë të rëndësishme të vendit, duhet ta ndryshojë strategjinë. Nuk mund të lejojmë mundësinë që kompanitë spekulative të futen në proces të privatizimit. Pra duhet yë bëhet një kontroll më i mirë i tyre, apo mund të futemi tash nëpërmjet ligjit për investime strategjike në negociata direkte me top kompanitë botërore që tashmë njihen. Dhe aty e ke rrezikshmërinë shumë të vogël për përfundim në arbitrazh. Këtu është para tendenca shumë e thjeshtë që është munduar të përfitohen disa miliona pa investuar dhe pa bërë asgjë në këtë proces“.

Dështimi i privatizimit të Postës dhe Telekomit në vitin 2013 ishte i dyti me radhë në përpjekjet për të privatizuar PTK-në që deri vonë ishte kompania më fitimprurëse në Kosovë, ndonëse ka pësuar rënie për shkak të shtimit të konkurrencës me operatorin privat IPKO nga Sllovenia por edhe zhvillimit teknologjik në botë dhe qeverisjes jo të mirë.

Privatizimi i Postë Telekomit është problem i vjetër në Kosovë. Madje kjo çështje kishte çuar vendin në zgjedhje të parakohshme në vitin 2010 për shkak të mospajtimeve ndërmjet forcave politike.

Aktualisht Telekomi i Kosovës ndodhet në krizë të thellë financiare ndërsa qeveria ka refuzuar të ofrojë fonde shpëtimi, por pret një ristrukturim të tij para se të rihapë mundësinë e re të privatizimit. Ministri Lluka tha për Zërin e Amerikës se shpejt mund të priten masa emergjente që nënkuptojnë uljen e shpenzimeve, përfshirë pagat, qiratë e mirëmbjatjen që do të siguronte kurisme deri në 15 milionë euro në vit. /VOA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re