Asnjë aktivitet nuk e kanë organizuar institucionet kosovare për Ditën e çlirimit, 12 qershorin, datë kur në vitin 1999 trupat e NATO-s u futën në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave serbe.

Çuditërisht, qeveria pikërisht për këtë ditë është përkujdesur ta fuqizojë vendimin që e pezulloi muaj më parë për ngritjen e pagave për zyrtarët e saj, kjo pasi Kushtetuesja i dha të drejtë kryeministrit Haradinaj duke thënë se rritja e pagave nuk është në kundërshtim me Kushtetutën siç deklarohet opozita.

Ndaj mosorganizimit të asnjë aktiviteti (përjashto lapidarin e ngritur për ushtarët e rënë të KFOR-it në Prishtinë) kanë reaguar edhe vet anëtarë të kabinetit “Haradinaj”, por edhe njerëz të mediave.

Zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e PDK-së, Gani Koci ka kritikuar qeverinë për harresën ndaj Ditës së Çlirimit.

“Qeveria nuk e ka hallin e shënimit të Ditës së çlirimit të Kosovës! Ajo e ka hallin se si t’i rrisë pagat për një pjesë të qeveritarëve! Mbana tokë!”, shkruan Koci në Facebook.

Ndërsa drejtori i portalit “AktivPress”, Agron Halitaj thotë se 12 qershori duhet të bëhet festë shtetërore.

“Nuk jam ithtar i shtimit të festave, sepse edhe ashtu e kemi marrë epitetin e shtetit festiv, por nëse ky popull është dashur ta festojë qoftë edhe një ditë te vetme në vit, ajo ditë është dashur të jetë 12 Qershori. Është marrëzi të pushohet e festohet për Ditën e Evropës, ditë që nuk e festojnë asnjë nga shtetet anëtare të kësaj bashkësie, e të punohet për Ditën e paqes, Ditën e shpresës, Ditën e lirisë sonë. Liderët e shtetit duhet ta dinë se mbamendja e një populli nuk ruhet vetëm me deklarata të përditësuara ndër vite. Prandaj, ata e kanë për obligim që të përkujdesën që Ditën e Çlirimit ta shndërrojnë në festë shtetërore. Lirisht le t’i heqin shumicën e festave tjera!”, shkruan Halitaj në Facebook.

Duhet thënë se edhe Prishtina të hënën nuk shënoi asnjë aktivitet për Ditën e Çlirimit, për çka u kritikua kryetari Shpend Ahmeti.

Kujtojmë se më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, dhe nisi largimi i forcave serbe

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

B. Gashi – 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re