Në Kosovë ka hyrë sot në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore, e cila kërkon përdorimin vetëm të valutës euro në vend duke përjashtuar dinarin serb.

Vendimi prek kryesisht komunitetin e serbëve në veri, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia në dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.

Sot Bashkimi Europian, përmes një deklarate, kërkon një periudhë më të gjatë tranzicioni.

“BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.”

Komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar shtyrje të afatit për rregullat e reja, por autoritetet e Kosovës thanë se vendimet e bankës janë të panegociueshme megjithëse ndryshimet do të bëhen përmes një tranzicioni të lehtësuar.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se rregullorja e Bankës Qendrore nuk do të ndalojë transfertat e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk parashikon dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

Ndërkohë, vendimin për shfuqizimin e dinarit, Serbia e ka cilësuar si provokim dhe sulm ndaj ekonomisë së Serbëve në Kosovë.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re