Zv.kryeministri i Kosovës, Dardan Gashi,  gjatë qëndrimit të tij në Paris është takuar me anëtarë të Parlamentit Francez dhe me ambasadorin e Republikës së Austrisë në Francë, takime këto që ishin të fokusuara në afirmimin e mbështetjes së Qeverisë franceze për liberalizimin e vizave për Kosovën.

 

Me deputetin e Parlamentit të Francës, Joachim Son – Forget, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i grupit për miqësi mes Kosovës dhe Francës, Gashi theksoi nevojën e mbështetjes së Presidentit të Francës në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke numëruar një varg argumentesh që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve teknike që kërkohen nga BE-ja.

 

“Pa dyshim, Kosova e meriton liberalizimin dhe këtë qëndrim e kam mbrojtur tashmë një kohë të gjatë. Personalisht do të jem në kontakt me kabinetin e presidentit Macron, për të siguruar mbështetjen që Kosova sa më shpejt të ketë lëvizjen e lirë”, tha deputeti Son – Forget.

 

Në anën tjetër, zv. kryeministri Gashi u takua edhe me ambasadorin e Austrisë në Francë, Michael Linhart, shteti i të cilit mban edhe presidencën e Këshillit të BE-së apo siç njihet ndryshe Presidenca e BE-së, nga i cili po ashtu mori mbështetje të pa rezervë në përçimin e argumenteve të qëndrueshme tek autoritetet franceze dhe ato austriake se pse Kosova meriton liberalizimin e vizave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re