Kosova ka qenë pika e ndarjes mes kancelares Merkel dhe kryeministres serbe Ana Brnabiç, ku të dyja dolën në një konferencë për shtyp për të shprehur objeksionet e tyre politike lidhur me raportet dy palëshe, e mbi të gjitha për çështjen më të ndjeshme, atë të ardhmes mes Kosovës dhe Serbisë.

Merkel ka shprehur atë që është linjë e qartë e Berlinit, se pa arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit, dera e Serbisë për në BE nuk mund të hapet.

Kur u pyetën nëse Berlini dhe BE-ja kishin ndonjë afat kohor për arritjen e marrëveshjes Beograd-Prishtinë dhe nëse data për pranimin e Serbisë në BE – 2025 është akoma realiste, Merkel deklaroi se nuk ka afate të përcaktuara, duke dërguar një porosi: “sa më shpejt, aq më mirë!”

Merkel theksoi se BE dëshiron të mbajë nën kontroll reformat dhe “se duhet të dihet se para pranimit, disa gjëra në lidhje me Kosovën duhet të zgjidhen”.

Nga ana tjetër, kancelarja gjermane deklaroi sot se nuk mund të thoshte asgjë në lidhje me informacionin që ka dalë se Gjermania dhe Franca mund të caktojnë një të dërguar special për dialogun Beograd-Prishtinë.

Merkel tha se Gjermania dhe Franca janë përpjekur, dhe janë ende duke u përpjekur, të rindezin atë dialog, si dhe të bëjnë diçka në lidhje me taksat që Prishtina ka futur ndaj produkteve nga Serbia.

Sipas saj çfarë raporton B92, Brnabiç ka thënë se “çështja e Kosovës është sigurisht e vetmja pikë mosmarrëveshjeje dhe keqkuptimi, por prapëseprapë, Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm për Serbinë”.

“Dhe aq sa mund të mos pajtohemi për disa çështje, gjëja më e rëndësishme është të bisedojmë me Gjermaninë, për të dëgjuar mendimin dhe këshillat e tyre, për të paraqitur pozicionin tonë dhe për të parë nëse së bashku mund t’i afrojmë qëndrimet tona dhe të arrijmë një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë “, tha shefja e qeverisë serbe.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re