Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka deklaruar se duke nisur nga 4 maji, do të nisë edhe zbutja graduale e masave shtrënguese të marra për t’u përballur me krizën e shkaktuar nga koronavirusi.

Vitia u shpreh se në fazën e parë, parashikohet që qytetarët të mund të dalin dy herë nga 90 minuta në ditë.

Gjithsesi, ai shtoi se qytetarët e Kosovës duhet të kenë kujdes dhe t’i përmbahen udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pasi nëse do të ketë rritje të menjëhershme të të infektuarve, mund të ndodhë një kolapsim i sistemit shëndetësor brenda ditësh, jo brenda javësh e muajsh.

Vitia duke përmendur hapjen e disa bizneseve pas 4 majit, tha se heqja e masave do të varet nga situata epidemiologjike.

Ai u shpreh:

“Ka disa ditë që kurba është duke lëvizur teposhtë dhe përqindja ditore ka shënuar rënie. Por, pavarësisht kësaj, është vështirë të thuhet se është koha që ka filluar përmirësimi. Shpresoj që do të vazhdojë kjo ulje dhe më 4 maj do të fillojmë me zbutjen e masave të vendosura. Edhe lirimin e masave jemi detyruar ta bëjmë në disa etapa. Në fillim edhe liria e lëvizjes e qytetarëve, pra koha kur do të dalin nuk do të jetë shumë më e gjerë ngase është tani. Ne mund të dyfishojmë orën e lëvizjes nga 1 orë e 30 minuta sa është tani. Kjo është duke u diskutuar dhe mendojmë që ta bëjmë dy herë nga 90 minuta dhe njëra të bëhet nga ora 10 deri më 16 për shërbimet e nevojshme. Do të kenë mundësitë të dalin dy herë në ditë, ku njëra nga herët do të jetë në këtë orar dhe për këtë arsye nuk do të ketë rotacion.”

Vitia shtoi gjithashtu se gjatë periudhës së fazës së parë që është nga 4 maj deri më 18 maj, krahas lehtësimit të masave janë edhe protokollet, veçanërisht për bizneset që do të hapen.

Arben Vitia deklaroi gjithashtu se Kosova është më mirë se sa vendet e rajonit sa i përket gjendjes me pandeminë por fatmirësisht edhe në rajon situata ka nisur të përmirësohet dhe në koordinim me këto vende do të diskutohet se kur do të hapen kufijtë me shtetet. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re