Skip to content

“Kosova nuk e ka tokën me tepricë”, ministri i Kulturës akuzon Dukagjin Lipën pas zhvendosjes së Sunny Hill në Tiranë: Po na bënte presion

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka akuzuar themeluesin e Festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, për presion mbi çështjen e lëshimit të lejes për pronë në Bërnicë të Poshtme.

Bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të një parcele prej 17 hektarësh për 99 vite.

Në një shkrim në Facebook, ministri Çeku ka thënë se MKRS-ja ia ka ofruar mbështetjen e nevojshme festivalit. Megjithatë, ai ka thënë se për çështjen e dhënies së territorit në shfrytëzim duhet kohë që të mos gabohet.

“Motivi dhe angazhimi ynë institucional ka qenë i plotë, gjithnjë me synimin e përbashkët që Sunny Hill edhe sivjet të përçojë nëpër botë imazhe pozitive nga vendi ynë. Por, çka kemi me kursim në Kosovë, është toka. Nuk e ka të drejtën as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër, ta përdorë territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat, kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë. Procesi i vendimmarrjes kërkon kohë për të qenë i plotë dhe për të mos qenë i gabuar apo abuziv”, ka shkruar Çeku.

“Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë ku t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për Sunny Hill, dhe pas një kohe të shkurtë të shfaqet njoftimi se organizimi paska ndryshuar vendndodhje. Ky lloj presioni nuk lë kohë të mjaftueshme për t’u siguruar që vendimet institucionale do të ofrojnë mbrojtje të plotë të interesit publik, madje nuk lë kohë të shikohen as aspektet ligjore”, ka shtuar ai.

Çeku në fund ka thënë se “’Sunny Hill’ gjithnjë do ta ketë derën hapur, për diskutime të qeta, e për marrëveshje transparente dhe pa presion”.

“E presim sa më shpejt në Kosovën e saj edhe Dua Lipën me dashuri e respekt të madh. Ajo ka kontribuar si artiste e si shqiptare në imazhin tonë ndërkombëtar. Asnjëherë nuk do të lejojmë që figura e saj të keqpërdoret apo të zbehet nga debate të politikës apo biznesit”, ka përfunduar ministri.

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë