Skip to content

Kosova, pashmangshmërisht drejt zgjedhjeve të reja

Albin Kurti nuk ia doli dot që të siguronte shumicën prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës për qeverinë e re të tij, duke e thelluar dhe me tej kësisoj krizën politike në Kosovë, e paprecedent në lloj, e cila pason krizën parlamentare që zgjati me muaj.

Në votimin e së dielës, kabineti i propozuar nga Kurti mori 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, çka nuk mjaftoi për t’u miratuar. Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë se për formimin e qeverisë nevojitet shumica prej 61 votash, ndaj procesi u bllokua në këtë pikë.

Pas këtij zhvillimi, presidentja Vjosa Osmani pritet që brenda dhjetë ditëve të nisë konsultimet me partitë parlamentare për të parë nëse ekziston një shumicë tjetër e mundshme për formimin e qeverisë.

Ajo do të duhet të ngarkojë një kandidat të ri për formimin e qeverisë, të dytin më të votuar në zgjedhjet parlamentare, por nëse as përpjekja e dytë nuk sjell miratimin e qeverisë nga Kuvendi, atëherë presidentja Osmani do të shpallë zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga shpallja e tyre.

Në një mesazh në mbrëmje, Kurti tha se tashmë fjalën duhet ta kenë zgjedhjet e reja parlamentare.

“Falenderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin PËR, 52 KUNDËR dhe 4 ABSTENIME, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”. /tesheshi.com/