Deklarimet e ndryshme nga politikanë të caktuar dhe shkrimet e ndryshme mediale rreth kohës së ngritjes së aktakuzave të para nga Gjykata Speciale siç duket më shumë janë veç një lloj spekulimi, pasi edhe vet krerët e Kosovës nuk janë në dijeni se kur mund të ndodh kjo gjë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se përveç komunikimit nuk kanë ndonjë bashkëpunim të shpeshtë, andaj nuk e di se kur mund të ngriten aktakuzat e para.

“Kemi normalisht komunikim mirëpo sa i përket punës se prokurorisë dhe kur do të ngritën aktakuzat si do të shkoj normalisht ne nuk do të njoftohemi as në Republikën e Kosovës e normalisht nuk njoftohemi as nga ta. Është çështje e prokurorisë atyre Dhomave të Specializuara dhe në asnjë rrethanë nuk kemi kurrfarë informatash sa i përket pra se kur mund të ndodh”, tha Tahiri në një intervistë për “Ekonomia Online”.

Kujtojmë se Gjykata Speciale emri zyrtar i së cilës është Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka juridiksion lëndor mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krime të tjera të kryera në periudhën 1998-2000, ndërlidhur me pretendimet e ngritura në Raportin e senatorit Dick Marty, i miratuar në 2011-n nga Këshilli i Evropës.

Pretendimi më i rëndë është ai për heqje organesh të serbëve, me qëllim transplantimin tek persona të tjerë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re