Ushtrimi fushor “Shqiponja 6” e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka mbledhur tetë shtete të cilat do të zhvillojnë këtë ushtrim për të testuar kapacitetet mbrojtëse në situata emergjente dhe komplekse të sigurisë.

Ky ushtrim do të zhvillohet në gjashtë qytete të Kosovës, në komunën e Prishtinës, Obiliqit, Mitrovicës, Podujevës, Gjilanit dhe Novobërdës.

Drejtori i këtij ushtrimi fushor, gjeneral brigade, Naim Haziri, tha se ky ushtrim ka qenë i planifikuar që nga shkurti i vitit 2017 dhe se qëllimi kryesor është testimi i kapaciteteve reaguese të tyre dhe të agjencioneve pjesëmarrëse në ushtrim.

 “Qëllimi kryesor i kësaj është që kurdo herë në situata reale që paraqiten ne të jemi të gatshëm të ndërveprueshëm të reagojmë që situata reale të ndodhin t’i menaxhojmë në mënyrën me të mirë të mundshme, në të mirën e qytetarëve qoftë të Kosovës qoftë të vendeve partnere”, deklaroi Haziri.

Kurse Shpend Tërdeva nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës e quajti rast të mirë këtë ushtrim për demonstrimin e aftësive të tyre.

“Ky ushtrim është një rast i mirë për demonstrimin e aftësive profesionale në nivel vendi dhe atij ndërkombëtarë për të gjithë pjesëmarrësit. Po ashtu është një rast i mirë ku forcat e sigurisë pjesëmarrëse të njihen mes veti, të zhvillohen mbi bazat e sigurisë rajonale dhe përfundimisht do të jetë një rast i jashtëzakonshëm për ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta në raste të nevojave operacionale”, theksoi Tërdeva.

Pjesë e ushtrimi fushor “Shqiponja 6” do të jetë edhe ushtria amerikane. Kolonel Justin Wagner tha se ky është një vit i veçantë dhe historik për këtë ushtrim, pasi që është hera e parë që Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar një ushtrim të kësaj madhësie me skuadrat e specialiteteve ushtarake nga tetë vende të ndryshme.

“Pjesëmarrja në këtë stërvitje është një mundësi e jashtëzakonshme për ne si partnerë ndërkombëtarë për të trajnuar forcat tona dhe për të kombinuar mjedisin, diçka që ne nuk kemi gjithmonë mundësi për të bërë, sidomos me fokusin në përgjigjen ndaj katastrofave. Ky ushtrim është në kohë të duhur dhe i përshtatet mirë aftësisë aktuale të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo u lejon atyre (FSK-së) të demonstrojnë aftësinë për t’i ardhur në ndihmë të gjithë popullit të Kosovës në kohë katastrofash natyrore ose atyre të shkaktuara nga njeriu”, tha Wagner.

Ushtrimi fushor “Shqiponja 6” do të zgjasë nga sot deri më 11 maj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re