Qeveria e Kosovës të enjten caktoi dy grupe serbe si “organizata terroriste”, në një veprim që mund të nxisë tensione të mëtejshme në veriun e paqëndrueshëm të vendit, siç komentojnë disa media.

Kryeministri Albin Kurti tha në seancën e kabinetit se grupet “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” paraqesin nivel të lartë “kërcënimi dhe rreziku”.

Ai tha se të dy grupet “rekrutonin dhe trajnuan anëtarët se si të përdorin armët dhe të kryejnë metoda të tjera luftarake në bazat ushtarake në Serbi për të kryer sulme ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë”.

Serbët, të cilët përbëjnë shumicën në veri të Kosovës, thonë se “Mbrojtja Civile” u shpërbë në vitin 2015 kur serbët ranë dakord të hyjnë në institucionet e Kosovës, përfshirë policinë dhe gjyqësorin, dhe morën pjesë për herë të parë në zgjedhjet lokale.

Efekti praktik nuk është i qartë

Nuk dihet se kë përfaqëson “Brigada e Veriut”, kur është themeluar dhe si funksionon. Vitin e kaluar, mbishkrimet me nënshkrimin e grupit u shfaqën në rrugët në veri, raportoi Reuters.

Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga Beogradi.

Nenad Rashiç, i vetmi ministër serb në qeverinë e Kurtit, votoi kundër këtij vendimi dhe kërkoi nga qeveria që ta rishqyrtojë.

Ndonëse efekti praktik i deklaratës nuk është menjëherë i qartë, ai mund të shkaktojë arrestime të reja nga policia e Kosovës, duke rritur më tej temperaturën politike në zonë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re