Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk tërhiqet nga krahasimi i Nago-Karabakut me Kosovën, ku paralajmëroi luftë nëse ngërçi nuk zgjidhet me dialog. Ai tha se deklarata e tij, ndaj së cilës ka reaguar ashpër Prishtina politike, ka qenë “mjaft e saktë dhe precize”.
“Kam folur për nevojën që të shmangim politikën e konfliktit të ngrirë”, ka argumentuar Vuçiç.
“Unë thashë që konflikti në Karabak ka qenë i ngrirë dhe më pas është shkrirë dhe se kushdo në të ardhmen mund të na çojë drejt një katastrofe dhe deri te një konflikt, gjë që nuk na nevojitet”, u tha Vuçiç gazetarëve.
“Me këtë kam shprehur dëshirën që të krijojmë paqen dhe të bëjmë zgjidhjen me kompromis. Për çdokënd kjo ishte e qartë”, tha Vuçiç.
“Për mua është e rëndësishme që të ruajmë paqen. Kjo është politika e Serbisë dhe kjo do të mbetet politika e Serbisë”, shtoi ai.
Deklarata e Vuçiçit, ajo që trazoi Prishtinën, ishte: “Konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”.
.