Opinioni publik në Serbi është i paqëndrueshëm dhe mund të ndryshojë relativisht shpejt, por jo kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj Bashkimit Evropian, ku vërehet një rënie e dukshme e eurooptimizmit, sepse procesi i anëtarësimit në BE është i “rënduar me një marrëdhënie mosbesimi të ndërsjellë”.

Profesori Sinisha Atlagiç i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd vlerëson për portalin Demostat se në rrethanat ekzistuese, presidenti Aleksandar Vuçiç mundet “vetëm disi” të forcojë favorin e opinionit publik serb ndaj BE-së, edhe pse një gjendje e tillë e opinionit publik është gjithashtu pasojë e konkluzioneve personale të Vuçiçit për ngjarjet politike globale.

“Opinioni publik është i paqëndrueshëm dhe mund të ndryshohet relativisht shpejt, por jo në lidhje me çështjet siç janë, për shembull, ato që kanë të bëjnë me BE-në, statusin e Kosovës apo Rusinë”, tha ai.

“Qëndrimi i qytetarëve ndaj BE-së është i rënduar nga mosbesimi i ndërsjelltë – Unioni nuk ka besim në Serbi, për shkak të qëndrimit të saj ndaj Rusisë, dhe në Serbi ka mosbesim për qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës dhe në përgjithësi ndaj qëndrimit të saj ndaj serbëve që nga rënia e ish-Jugosllavisë”, vlerësoi Atlagiç.

“Kushtimet nga BE-ja në raport me Rusinë vetëm sa e rrisin këtë mosbesim. Mendoj se është në punë edhe mbingopja e qytetarëve me çështjen (afatgjatë) të anëtarësimit në BE”, tha Atlagiç.

Sipas sondazhit të fundit zyrtar të opinionit publik, të publikuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane në gusht 2021, një vit më parë 57 për qind e qytetarëve do të kishin votuar për anëtarësimin e Serbisë në BE në referendum, 30 për qind do të kishin votuar kundër, 12 për qind nuk do të kishte votuar fare dhe një për qind nuk ka një qëndrim të qartë për anëtarësimin në BE.

Hulumtimi i Demostatit në fillim të korrikut të këtij viti tregon se vetëm një e treta e qytetarëve do të votonin për hyrjen e Serbisë në BE, ndërsa 51 për qind do të ishin kundër, 11 për qind nuk do të dilnin në referendum dhe katër për qind ishin të pavendosur.

Ai hulumtim tregoi gjithashtu se qëndrimi i opinionit publik ndaj kësaj çështjeje është i njëjtë me qëndrimin e qeverisë dhe mediave të saj ndaj BE-së.

Një humor i tillë është kryesisht pasojë e narrativës pro-ruse në Serbi.

Nga ana tjetër, Vuçiç dhe zyrtarët më të lartë serbë shpesh theksojnë se rruga evropiane është angazhim strategjik, interes shtetëror dhe kombëtar i Serbisë.

Beogradi zyrtar u bashkua me dy rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus dhe mbështeti integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, por për shkak të lidhjeve të ngushta politike, ai refuzon të mbajë anën e shumicës së vendeve në botë dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re