Skip to content

Kosova sot në zgjedhje të parakohshme parlamentare

fletevotime vota numerimi kosove zgjedhje sd.webp


Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë të dielën, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u shpallën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk e miratoi asnjërin prej dy kabineteve qeveritare që u propozuan.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpërndarë materialet zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Kosovës.

Prej orës 7:00, 1 milion e 999 mijë e 24 shtetas kanë të drejtë t’u drejtohen qendrave te votimit, për ta zgjedhur legjislaturën e dhjetë.

“Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 28 dhjetor është 948, prej të cilave 910 për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, ka thene Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në zgjedhjet e sotme garojnë 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë. Nga to, 8 subjekte politike janë të shqiptarëve me 624 kandidatë që synojnë 100 vendet në Kuvend, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve që garojnë për 20 ulëset e garantuara.