Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media pas mbledhjes së Komitetit për parandalimin e pandemisë, ka bërë publike masat e reja të marra për mbrojtjen nga COVID-19 në Kosovë.

Zemaj tha se qendrave tregtare u ndalohet aktiviteti nga ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit. Gjithashtu edhe gastronomisë i ndalohet veprimtaria nga ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit, përveç shërbimit “merr me vete”.

“Qendrat tregtare do t’iu ndalohet veprimtaria nga 21:00 deri në 5 të mëngjesit. Gastronomia: 21 deri në orën 5,” sqaroi Zemaj.

Ministri gjithashtu ka treguar se institucionet publike dhe private do të duhet që të reduktojnë stafin. Në këtë kufizim të stafit nuk përfshihen institucionet e sigurisë dhe shëndetësia.

“Është e domosdoshme që të reduktohet numri i stafit në nivel qendror, në institucionet publike dhe private. Shëndetësia dhe Siguria do të vazhdojnë të punojnë me kapacitete të plota”, ka thënë Zemaj.

“Ligjëratat të zhvillohen vetëm online nëpër universitete”, ka shtuar ai.

Ministri ka thënë se këto masa do të analizohen brenda dy jave dhe do të rishikohen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re