Skip to content

Kosova voton për të dalë nga bllokada institucionale, deri tani pa probleme serioze

image 641 1024x448 1.webp

Në Kosovë, këtë të dielë më 28 dhjetor, po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të dytat brenda këtij viti.

Ato u thirrën pasi për më shumë se 10 muajsh, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, partitë politike nuk arritën të formojnë institucionet e reja të vendit.

Mbi 900 qendra votimi janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, megjithëse në disa raste ka pasur vonesa të vogla. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri të banuara me shumicë serbe.

Deri në orën 11:00, pjesëmarrja në votime ka qenë pak mbi 8%. Rrjeti i organizatave “Demokracia në Veprim” (DnV) raporton se vonesa në hapjen e vendvotimeve ka pasur vetëm në rreth 3% të tyre. Vonesat më të theksuara janë shënuar në rajonin e Pejës, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve.

Sipas DnV-së, vetëm në 2% të vendvotimeve ka pasur probleme me vendosjen e kabinave të votimit ose kamerave, ndërsa këto probleme kanë qenë më të theksuara në komunat me shumicë serbe. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniçi, bëri të ditur se në 6 qendra votimi janë paraqitur probleme me energjinë elektrike, të cilat po trajtohen.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 qytetarë, ndërsa janë gjithsej 2.614 vendvotime. Votimi për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit është zhvilluar një ditë më parë në ambasada dhe konsullata në 18 shtete.

Në garë janë 22 subjekte politike: 18 parti, 3 koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. KQZ ka certifikuar gjithsej 1 180 kandidatë për deputetë, prej të cilëve rreth 67% janë burra dhe 33 për qind gra.

Procesi zgjedhor po monitorohet nga rreth 8 600 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe një delegacion nga Parlamenti Evropian. Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit po vëzhgon zgjedhjet me fokus në respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike.

Për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar qindra zyrtarë policorë dhe rreth 100 prokurorë, të cilët do të qëndrojnë në terren deri në përfundim të votimit, me qëllim parandalimin dhe trajtimin e çdo parregullsie eventuale.

Analistët politikë vlerësojnë se këto zgjedhje janë vendimtare për zgjidhjen e bllokadës institucionale dhe rikthimin e stabilitetit politik.

Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, veçanërisht vendet e QUINT-it, kanë bërë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të lirë, të rregullt dhe demokratike, duke theksuar rëndësinë e tyre për të ardhmen evropiane të Kosovës./Marrë nga DW