Kosova është vënë në një test patriotizimi, si dikur nën Serbi, pasi qeveria ka themeluar Fondin e Sigurisë “për shkak të nevojave të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe situatës aktuale ndërkombëtare”. Ngjan kjo me 3-përqindëshin e dikurshëm, një kontribut financiar i kosovarëve për shtetin e tyre paralel nën regjimin e Beogradit.

Kryeministri Kurti i ka ftuar qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe në diasporë që të kontribuojnë financiarisht për sigurinë shtetërore.

“Në përputhje me legjislacionin në fuqi do të zbatohen procedurat për prejardhjen e mjeteve financiare me qëllim të ruajtjes së integritetit të fondit dhe qëllimit të tij.

Ftohen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore”, tha njeriu që qeverisë Kosovën, duke theksuar se ky vendim u morr pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e ‘Fondit të Sigurisë’. Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës”.

Kurti theksoi se funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.

Tashmë pritet të shihet se a është patriotizmi kosovar në ato nivele si dikur, para 20 apo 30 vitesh, testuar kjo te pika më e ndjeshme, paraja.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re