Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti nuk kanë arritur të marrin votat e nevojshme në seancë plenare për krijimin e qeverisë duke thelluar akoma më shumë krizën institucionale në Kosovë.
Me vetëm 56 vota Pro, Kurti dhe LVV nuk arritën të zgjidhnin qeverinë e re.
Por çfarë ndodh tani?
Për të zgjedhur Qeverinë e re, një mandatari i duhen të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse. Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.
I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe – në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.
Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.
Një ditë më parë, në një intervistë për DW, presidentja Vjosa Osmani ndër të tjera do të shprehej:
“Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë nëqoftëse nuk krijohet shumica”.
