Të gjitha gratë e mbijetuara të dhunës në familje do të mund të përfitojnë nga masa e punësimit, ku 70 për qind e pagës së tyre për gjashtë muaj do të subvencionohet nga qeveria e Kosovës.

Deri më tani, shumica e grave të cilat janë viktima të dhunës në familje nuk janë të punësuara dhe përballen me kushte të rënda financiare. Kështu u tha në lansimin e kësaj mase në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku u tha se do të kujdesen për ruajtjen e konfidencialitetit të secilës grua.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pavarësia ekonomike e grave është një shkallë e rëndësishme drejt zhvillimit dhe lirisë individuale, sikurse edhe sigurisë dhe mirëqenies. Shefi i ekzekutivit u zotua se do të punojnë për të eliminuar pabarazitë sociale që pengojnë pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se ky lansimi i kësaj mase është aktiviteti më i rëndësishëm në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore. Ajo shtoi se të mbijetuarat e dhunës në familje për shkak të kushteve të rënda financiare detyrohen që të kthehen në vendin e krimit. Ajo shtoi se në këtë nismë, Ministria e Drejtësisë do të ketë rol kyç në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit dhe strehimoret.

Avancimi i rolit të gruas në shoqëri, siç tha ministri i Financave, Hekuran Murati, janë thelbësore për një shoqëri më të avancuar. Me masën e punësimit të viktimave të dhunës në familje, ai shtoi se do të ruhet konfidencialiteti i grave.

Në të ardhmen, ai shtoi se do të punohet që këto gra të jenë në prioritet edhe në trajnime, programe e kurse për rritjen e shkathtësive të tyre.

Ministri Hekuran Murati theksoi se 190 mijë gra janë përfituese direkte të shtesave të fëmijëve. Ai theksoi se në fillim të mandatit të tyre kanë qenë mbi 111 mijë gra të punësuara, ndërkaq sipas tij, aktualisht janë të deklaruara mbi 142 mijë të punësuara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re