Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald E. Connolly, tha sot se Ballkani Perëndimor është zonë me rëndësi strategjike për aleancën ndërsa nënvizoi se ndarjet etnike dhe mosmarrëveshjet ndërmjet vendeve të rajonit e pengojnë integrimin e tyre në NATO.

 

Ai i bëri këto komente përmes një video mesazhi në kuadër të seminarit të 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në Prishtinë, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“

 

“Ndarjet ndëretnike dhe çështjet e lidhura me statusin kushtetues vazhdojnë ta mbajnë rajonin prapa në rrugën euro-atlantike. Pothuajse tre dekada pas marrëveshjes së paqes të Dejtonit, në Bosnje e Hercegovinë ka ende mosmarrëveshje të vështira etnike dhe politike. Mosmarrëveshjet kryesore për çështjet themelore që vazhdojnë mes Beogradit dhe Prishtinës, e pengojnë rajonin për integrim të mëtejshëm dhe madje rrezikojnë edhe arritjet e deritanishme”, tha zoti Connolly.

 

Zoti Connolly tha se Ballkani Perëndimor dhe vendet euro-atlantike duhet të punojnë së bashku për të tejkaluar sfidat me të cilat po përballet rajoni si dhe kundër ndikimit destabilizues të fuqive autoritare si Rusia dhe Kina.

 

“Për Ballkanin Perëndimor rruga e demokracisë është e njëjtë me rrugën drejt integrimeve euro-atlantike. Duke arritur këtë qëllim kërkohet përkushtim i fortë dhe përpjekje e konsiderueshme, por vendet aleate do të vazhdojnë të mbështesin vendet e rajonit drejt këtij qëllimi”, tha ai.

 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se për Kosovën, integrimet euro-atlantike janë interes jetësor strategjik.

 

“Pikëpamja nga Ballkani Perëndimor ka qenë konsistente me përjashtimin ndoshta të fqinjit pothuajse të komplikuar Serbinë, por përveç Serbisë, unë jam i bindur se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor kërkon të njëjtën të ardhme euro-atlantike. Kjo vlerë dhe përkushtim janë arma më e fortë që kemi kundër ngritjes së autoritizmit dhe luftërave që tani përfshijnë edhe dimensione bërthamore”, tha ajo duke bër thirrje që vendet anëtare të NATO-s të përkrahin Kosovën që të përfshihet në Programin për Paqe si rrugë drejt integrimeve euro-atlantike.

 

Kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca, tha se Kosova mbetët e përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë me aleancën Veri-atlantike.

 

“NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë duke u nisur nga gjendja e sigurisë në botë shtetet që kontribuojnë përmes trupave ushtarake në KFOR po e shtojnë edhe praninë e tyre këto ditë të fundit edhe në Kosovë. Kosova do t’i kryej të gjitha reformat e nevojshme që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s së bashku do ta kthejmë edhe FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO-n aleancën më të fuqishsme të shteteve demokratike”, tha zoti Konjufca.

 

Autoritetet në Kosovë thanë se misioni i KFOR-it në Kosovë mbetet i pazëvendësueshëm dhe i nevojshëm posaçërisht kohëve të fundit pas shtimit të tensioneve në veriun e vendit.

 

Zëvendëskëshilltari politik i komandantit të KFOR-it, Alexander Aalmo, tha se situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë por e brishtë. Ai tha se ekzistojnë disa zhvillime shqetësuese që duhet ndjekur nga KFOR-i posaçërisht në komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës

 

“Elemente të tjera që po i vëzhgojmë me kujdes, shohim sfondin e përkeqësimit të kushteve socio-ekonomike, jo vetëm në rajon dhe Evropë por edhe në Kosovë, tema të caktuara si çështja energjetike, çështja e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, mund të shërbejnë si shkas për të ndikuar përkohësisht në lirinë e lëvizjes, sigurinë dhe mjedisin përsëri, veçanërisht në veriun e Kosovës”, tha ai.

 

Zyrtarë të NATO-s thonë se janë të gatshëm të shtojnë numrin e trupave në Kosovë nëse rriten tensionet në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serbë në veri, ndërsa afrohet afati i vendosur nga qeveria e Kosovës që është data 31 tetor për ndryshimin e targave të makinave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re