Dy punonjës të një kompanie funerale në Prizren do të qëndrojnë për 30 ditë në paraburgim, siç caktoi këtë të premte gjykata themelore e qytetit.

Shtetasit me inicialet M.N dhe E.R, dyshohet se kanë shkuar në klinikën infektive më 9 shkurt, për të tërhequr kufomëm e një shtetasi e për ta dërguar trupin e të ndjerit në ceremoninë e varrimit.

Mirëpo, dy punonjësit kanë tërhequr aksidentalisht një tjetër kufomë, përfshi këtu edhe dokumentacionin e nevojshëm.

 “Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K. Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D”.-shpjegohet në njoftimin e autoriteteve.

Dy punëtorët e kanë kuptuar më pas se kanë ngatërruar kufomat, e kësisoj janë kthyer sërish në klinikën infektive për të tërhequr trupin e pajetë të ‘duhur’. Më tutje kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrosjen dhe të vendosin trupin e të ndjerit.

E gjithë kjo procedurë është bërë pa prezencën e familjarëve (H.K) dhe pa njoftuar as autoritetet. Trupi i të zhvarrosurit, është kthyer sërish në Prishtinë.

NJOFTIMI I PLOTE I GJYKATES

Prizren, 11 shkurt 2022 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Sadije Selmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.03.2022, ndaj të pandehurve M.N., dhe E.R., për shkak të dyshimit zë bazuar se kanë kryer veprën penale Dëmtimi i varreve apo kufomave nga neni 413 par.2  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

Me datë 09 shkurt, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij.

Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K.

Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K.

Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D.

Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartcekuar, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K.

E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë.

 Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura penale është në fazën fillestare, në rrjedhën e mëtejme të procedurës hetimore  do të mblidhen edhe prova tjera me qëllim zbardhjen e kësaj çështje penale, andaj është konstatim i Gjykatës se nëse të pandehurit lihen në liri mund të asgjësojnë apo fshehin provat materiale, si dhe të ndikojnë në dëshmi të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve.

Gjithashtu, Gjykata ka marrë parasysh edhe peshën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, me veprimet e tyre të pandehurit kanë cenuar rëndë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, si dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurve për të kryer veprën penale, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re