Policia e Kosovës ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut në kuadër të aksionit për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e kryerjes së veprave kriminale.

Siç thuhet në njoftim, policia ka bërë arrestimin pas “hetimeve intensive nga njësitet kompetente policore”.

Personi i arrestuar dyshohet për disa vepra penale, përfshirë sulmin ndaj njësisë së Policisë së Kosovës, “pjesëmarrje apo organizim i grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së veprimtarisë së detyrave zyrtare”.

I njëjti person dyshohet se i ka vënë flakën veturave me targa RKS (Republika e Kosovës) në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në tre ditët e fundit në veri është shënuar djegie e veturave me targa të Kosovës, të cilat janë riregjistruar në KM (Kosovska Mitrovica). Targat KM janë lëshuar nga autoritetet serbe dhe janë të paligjshme për Kosovën.

Ministri i Brendshëm Xhelal Svelça ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se i arrestuari “pjesëtari aktiv i strukturës kriminale të të ashtuquajturës Mbrojtje Civile ka plagosur më parë me armë dy policë (kosovarë).

Ai po ashtu ka vlerësuar se pas djegies së veturave në veri qëndron Beogradi, gjegjësisht se po tenton të shkaktojë frikë te qytetarët.

“Agjencitë e sigurisë kanë edhe dëshmi për përfshirjen e tij në sulmet në infrastrukturën e Kosovës”, ka shkruar ai.

Lista serbe paralajmëron “reagimin e serbëve”

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që vepron me mbështetjen e Beogradit, e cilësoi arrestimin në Mitrovicën e Veriut si “vazhdim i keqtrajtimit të popullit serb”.

Kjo parti paraprakisht nuk e dënoi djegien e veturave në veri dhe nuk pati reagime as nga Beogradi zyrtar.

Pas arrestimit, ata në një komunikatë për media kanë thënë se i arrestuari nga Zubin Potok “akuzohet për krime të rënda pa asnjë provë”.

Ata deklarojnë se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të provokohet “reagimi serb”.

“Për sqarim: nuk do të jetë një paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për të ndalur represionin e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm”, thuhet në deklaratë.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar me akuzat se kryeministri i Kosovës Albin Kurti “po shkakton kaos dhe po krijon krizë të re”.

 “Kurti po mundohet në çdo mënyrë që përmes të fortëve të tij të shkaktojë tensione në veri të Kosovës dhe Metohisë, për të nxitur reagimin e serbëve, të cilët më pas do t’i akuzonte për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në terren, me qëllimin për t’ju shmangur dialogut dhe obligimeve nga Ohri që në lidhje me formimin e ZSO-së (Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe)”, thuhet në dekaratë.

Çfarë ndodhi më parë?

Këto flakëvënie të veturave ndodhin pas ri-regjistrimit me targa KM (Kosovska Mitrovica) në RKS. Targat KM lëshohen nga autoritetet e Serbisë dhe Kosova i konsideron të paligjshme, kështu që vitin e kaluar ka filluar procesi i ri-regjistrimit në sistemin e Kosovës.

Megjithatë, për shkak të kësaj çështje pati tensione. Fillimisht, më 31 korrik u ngritën barrikada për këtë çështje, e më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri për shkak të pezullimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin r Qeverisë së Kosovës për riregjistrim në targa RKS, shkruan REL.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, në fund të nëntorit të vitit të kaluar arritën një marrëveshje për targat, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova pranoi të pezullojë procesin e ri-regjistrimit, ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për qytetet në Kosovë.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10 mijë vetura të regjistruara me targa KM.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re