I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak ka deklaruar sot se fokusi i BE është menaxhimi i krizës mes dy vendeve.

 

Një një intervistë për median austriake, Lajçak ka folur edhe për zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe të cilat i ka quajtur një minë që sipas tij është shkelur.

 

MIROSLAV LAJÇAK

 

I DËRGUAR I BE PËR DIALOGUN

 

“Marrëveshja e marsit është një moment historik në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne e dimë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por ka shumë mina tokësore përgjatë kësaj rruge, që ne nuk duhet t’i shkelim. Zgjedhjet lokale të prillit ishin të tilla dhe për fat të keq ne i kemi shkelur ato.”

 

I pyetur për shtetet e BE që nuk e njohin Kosovën, Lajçak ka thënë se ai përfaqëson të gjithë unionin ndërsa ka theksuar se prioritet i tij është paanësia.

 

“Nuk po flas për një vend, por për të 27 vendet anëtare të BE-së. Pesë vendet që nuk e njohin Kosovën e ndjekin me vëmendje të madhe dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ata e dinë se cilido qoftë rezultati, do të ketë ndikim. Por të gjithë duan normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe mbështesin marrëveshjen e marsit.”

 

Miroslav Lajçak pret që Marrëveshja e Ohrit të vihet në zbatin ndërsa tha gjithashtu se pritja nuk i shërben askujt.

 

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka patur asnjë përparim që prej zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe dhe tensioneve mes protestuesve dhe policisë kur kryetarët shqiptarë u futën në objekte.

 

Diskutimet e fundit në kuadër të dialogut u zhvilluan këtë javë ne Bruksel ku negociatorët e të dy vendeve u takuan veçmnas me Lajçak por jo me njëri tjetrin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re