Ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha González Laya, ka thënë se Spanja do të diskutojë me FIFA-n për përcaktimin e vendit të zhvillimit të dy ndeshjeve të saj kundër Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës 2022. Spanja nuk dëshiron ta mirëpresë Kosovën në territorin e vet duke qenë se nuk e njeh si shtet të pavarur.

Ballafaqimi i Kosovës me Spanjën në fushatën kualifikuese për Botërorin Katari 2022 vitin e ardhshëm ka ngritur polemika dhe ka ngjallur reagime, duke e ditur se vendi i Gadishullit Iberik nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Në shortin e hedhur të hënën në Zvicër, Kosova mësoi se do të luajë në Grupin B bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, katër kombëtare, tri prej të cilave s’e kanë njohur pavarësinë e saj.

Spanja s’e njeh Kosovën kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

“Këtu luajmë me rregullat të FIFA-s. Natyrisht, Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por kjo nuk nënkupton që Spanja nuk merr pjesë në një garë ku merr pjesë edhe Kosova”, tha Gonzalez Laya.

“Këto janë rregullat e tyre, jo të ligjit ndërkombëtar për njohjen e shteteve. Prandaj në FIFA ka garues si Ishujt Faroe, Uellsi, Skocia, Irlanda Veriore dhe Gjibraltari, të cilat s’janë shtete”, tha ajo në një intervistë me Cadena Ser.

Kombëtaret apo ekipet të cilat nuk mund të jenë nikoqire të klubeve nga Kosova apo ekipit kombëtar të saj në territorin e vet, mund të bëjnë kërkesë për t’i organizuar ndeshjet e tyre si vendas në një terren neutral. Megjithatë, ato janë të detyruara të pranojnë t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre si mysafirë në Kosovë.

Por ministrja spanjolle thotë se për caktimin e vendit për zhvillimin e ndeshjeve me Kosovën, Spanja do të diskutojë me organin qeverisës së futbollit botëror.

“Çështja tani është të punohet me FIFA-n për të parë se cilat janë kushtet për pjesëmarrjen e Kosovës dhe se ku do të zhvillohen ndeshjet e Spanjës kundër Kosovës. Ne do të diskutojmë me FIFA-n në bazë të rregullave të futbollit, jo të ligjit ndërkombëtar, dy fjalë të ndara”.

E pyetur nëse ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e qeverisë spanjolle, ajo tha: “Jo, Kosova e di këtë dhe Spanja e di këtë. Ne nuk e njohim Kosovën si shtet të pavarur, por kjo është çështje e ligjit ndërkombëtar”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re