Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, njoftoi se kostoja direkte e luftës në Gaza për Izraelin është 1 miliard shekel (rreth 246 milionë dollarë) në dit.

Smotrich, duke folur për radion izraelite, tha se do të ketë ndryshime në buxhetin vjetor për shkak të luftës që vazhdon nga 7 tetori.

“Buxheti shtetëror i këtij viti, tashmë nuk është i vlefshëm. Duhet ndryshuar në drejtim të zhvillimeve në Izrael”, tha ai.

Duke theksuar se kostoja direkte e luftës në Gaza për Izraelin është 1 miliard shekel, ai tha se “nuk ka ndonjë vlerësim të qartë” lidhur me kostot indirekte.

Buxheti i miratuar për vitin 2023 në Izrael ishte 484 miliardë shekel (132 miliardë dollarë), ndërsa për vitin 2024 ishte paraparë të jetë 514 miliardë shekel (140 miliardë dollarë).

Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumë-anshëm, që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një bombardim të pamëshirshëm të objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Mbi 7.900 njerëz janë vrarë në konfliktin e vazhdueshëm, përfshirë të paktën 6.546 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.

2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë transportuar vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re