Në një intervistë për televizionin shtetëror grek ERT, ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka shprehur bindje dhe shpresë që ditëve në vijim do të arrihet kompromis për çështjen e emrit me Maqedoninë.

Në pyetjen se pse edhe më tej shtyhet biseda telefonike mes kryeministrave Zaev dhe Tcipras, Kotzias tha se në kuadër të marrëveshjes që është vërtetuar në takimet e tij me kryediplomatin maqedonas, Nikolla Dimitrov në Nju Jork dhe Bruksel, tani ka ardhur koha të thuhet një “Po” ose një “Jo” e madhe.

“Siç duket qeveria e vendit fqinj po ballafaqohet me disa vështirësi dhe mendon për revizione të marrëveshjes, por besoj dhe shpresoj që për disa ditë gjithçka do të tejkalohet”, tha Kotzias.

Ai shtoi se deri sa nuk ka nënshkrime në marrëveshje, nuk mund të thuhet se është zgjidhur çështja.

I pyetur për emrin në marrëveshje se a është Maqedonia Veriore, Kotzias nuk deshi të përgjigjet, duke shtuar se emri do të publikohet nga kryeministrat e dy vendeve.

Kotzias tha gjithashtu se qeveria maqedonase nuk e pranon emrin Maqedonia e Vardarit, pasi që, sipas tij, mendohet se bëhet fjalë për erën e fashizmit dhe okupimit.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re