Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të ndaluar me 15 vjet përfshirjen në sistemin e drejtësisë të ish-gjyqtares së Gjykatës së Tiranës Arjana Liço. Trupa gjykuese që shqyrtoi rastin drejtohej nga Rezarta Schuetz, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj.

Liço kishte apeluar vendimin e Komisionit që e kishte konsideruar dorëheqjen e saj si largim nga procesi i vetingut, duke pretenduar se ajo kishte dalë në pension dhe se ndaj saj nuk mund të aplikohej ndalimi.

KPA arsyetoi se Liço ka paraqitur në Këshillin e Lartë Gjyqësor kërkesën për dorëheqje “duke u shprehur vullnetin e saj për mosvazhdimin e gëzimit të statusit të magjistratit deri në mbushjen e moshës 67 vjeç”.

Njoftimi: Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.17/2020, datë 02.06.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Arjana Liço, kundër vendimit nr. 247, datë 05.03.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 247, datë 05.03.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Arjana Liço. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 17.12.2020.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re