Komisioneri Publik ka ankimuar ditën e sotme vendimin e KPK për konfirmimin në detyre të Juljan Cafkës, prokurorin e Gjirokastrës.

KPK konfirmoi në detyrë Cafkën në shtator të këtij viti, ndonëse kishte dyshime për raste të shkeljes disiplinore.

Ditën e sotme, Komisioneri Publik njofton se ka mbërritur një denoncim për disa ccështje të pahetuara më parë në lidhje me Cafkën, prandaj dhe kërkohet një hetim i mëtejshëm.

Njoftimi i plote:

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Juljan Çafka, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, aktet shoqëruese të tij, si dhe një denoncim të depozituar pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, pas njoftimit të vendimit të Komisionit, konstaton se në këtë denoncim referohen çështje të pahetuara më parë, për të cilat kërkohet një hetim i mëtejshëm.

Në këto kushte, Komisioneri Publik vlerëson të nevojshme, që brenda juridiksionit rivlerësues/kontrollues të Kolegjit, ky i fundit, në shqyrtim të këtij ankimi, të riçelë hetimin gjyqësor dhe, në përfundim të tij, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Juljan Çafka.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re