Skip to content

KPK e konfirmoi në detyrë, ONM kërkoi shkarkimin, merret vendimi final për numrin 2 të GJKKO-së

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Zëvendëskryetarja e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka është konfirmuar në detyrë edhe në Kolegjin e Posatshëm të Apelimit.

Kishte qenë KPK që fillimisht kishte konfirmuar në detyrë gjyqtaren e posçme, por vendimi ishte apeluar nga Komisioneri Publik, pas pretendimeve të ngritura nga ONM.

KPA në vendimin e shpallur këtë të martë, hodhi poshtë pretendimet, duke e konfirmuar në detyrë Gjokën, e cila prej afro një viti mban edhe postin e nënkryetares së GJKKO.

Pretendimet e palëve në KPA:

Gjoka u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK në shkurt të vitit 2020. Pasaktësitë, mospërputhjet dhe një balancë e vogël negative në analizën financiare të KPK-së, nuk u vlerësuan penalizuese. Ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Vendimi për Gjokën u ankimua nga ish-Komisioneri Publik Dariel Sina për probleme në kriterin e pasurisë.

Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Për më shumë se një dekadë, ajo ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prej dhjetorit 2019, Gjoka është pjesë e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin të Organizuar në Tiranë.

Komisionerja Nino parashtroi një listë të gjatë shkaqesh në të cilat ajo identifikoi probleme, që u kundërshtuan të gjitha prej Gjokës dhe përfaqësueses së saj ligjore, avokates Romina Zano gjatë seancës publike që vijoi për rreth pesë orë.

Në deklaratën “veting”, Gjoka ka shënuar si burime për blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2005 për çmimin 45 mijë e 885 euro, kursimet nga pagat ndër vite dhe një hua në shumën 2 milionë lekë.

Ndërsa në vitin 2005 ka deklaruar si burime tërheqjen e një depozite 93 mijë lekë; të një depozite në shumën 800 mijë lekë; të një depozite tjetër në vlerën 4000 USD dhe 15 mijë euro kursime të vitit 2005.

KPK ka konstatuar deklarim të ndryshëm të burimeve të krijimit të kësaj pasurie. Nga verifikimi i depozitave të deklaruara si burim në 2005-ën ka rezultuar llogaria 93 mijë lekë nuk konfirmohet në emër të subjektit; se në depozitën 800 mijë lekë është shtuar në vijim dhe në 2004-ën është tërhequr shuma 1 milion e 254 mijë lekë dhe një vit më vonë është depozituar vlera 1.7 milionë lekë.

Megjithëse ka rezultuar se shuma e tërhequr nuk është deklaruar si gjendje cash, Komisioni ka konsideruar bindëse shpjegimet e subjektit se kjo ka ndodhur për shkak të interpretimit të gabuar të ligjit nga ana e saj, pasi ka menduar se përderisa kishte deklaruar depozitën 800 mijë lekë në 2003-in dhe ishin kryer transaksione në bankë, e kishte gjykuar se ato kishin lënë gjurmë dhe kishte pasqyruar vetëm shtesën në 2005-ën. Po ashtu, Komisioni ka krijuar bindjen se mosdeklarimi i shtesës në vitin 2004 nuk përbën mungesë të burimeve financiare për blerjen e apartamentit.

Komisionerja Nino konstatoi se subjekti nuk ka deklaruar saktë kursimet cash në vitin 2004 dhe si rrjedhojë nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme krijimi i shumës 1.7 milionë lekë.

Po ashtu, u vërejt se ka mospërputhje për kursimet nga paga në vlerën 15 mijë euro të deklaruara nga subjekti në 2005-ën. Komisioni ka arsyetuar se Gjoka në kohë të ndryshme ka deklaruar burimin e apartamentit në mënyra të ndryshme, por mospërputhjet janë konsideruar si përpjekje të subjektit për të qenë më e detajuar.

Sipas komisioneres Nino, burimi i apartamentit nuk është pasqyruar saktësisht dhe plotësisht në deklaratën “veting”, pasi nuk është shënuar vlera 15 mijë euro. Po ashtu, komisionerja vlerëson se të ardhurat nga pagat e gjyqtares Gjoka nuk mbulojnë kursimin e deklaruar në shumën 15 mijë euro.

Shuma 4000 USD e deklaruar si burim nga subjekti përfaqëson pjesën e saj takuese në një depozitë në vlerën 23 mijë USD. Gjoka ka shpjeguar se në këtë depozitë në emër të saj të krijuar me të ardhurat nga pagat, janë edhe kursimet e familjarëve të saj, prindërve pensionistë dhe të vëllezërve në emigracion.

Nino konstatoi se subjekti ka dhënë deklarime kontradiktore lidhur me burimin e kësaj depozite, pasi gjatë hetimit administrativ ka deklaruar se është krijuar me pagat e saj prej vitit 1993, ndërsa në 2004-ën ka deklaruar se vetëm shuma 4000 USD është krijuar nga pagat e saj. Gjoka ka shpjeguar se ajo ka jetuar me prindërit që zotëronin të ardhura nga ekonomia familjare për mbulimin e shpenzimeve të jetesës dhe kështu ka mundur të kursejë pagën e saj.

Për të provuar të ardhurat e ekonomisë së përbashkët familjare, subjekti ka paraqitur dokumentacion për të ardhurat nga pensionet e prindërve; të ardhurat e përfituara nga qiradhënia e pronave; dhe raporte vlerësimi për të ardhura nga ullishtja.

Ndryshe nga Komisioni që ka vlerësuar se subjekti ka pasur burime për krijimin e depozitës dhe se mospërputhjet nuk mund të sjellin penalizim, Nino vlerëson se të ardhurat e gjyqtares Gjoka deri në vitin 2002 kur është çelur depozita janë në shumën afro 2.5 milionë lekë dhe nuk i mbulojnë dot kursimet e saj në sistemin bankar në vlerën 4.3 milionë lekë.

Sipas komisioneres, edhe nëse do të konsideroheshin të ardhurat nga ekonomia familjare ato prapë nuk e justifikonin dot krijimin e kursimeve, pasi vëllai kishte blerë dhe një apartament në shumën 1.8 milion lekë në vitin 2001.

Nino deklaroi se vetëm investimi në këtë pasuri dhe kursimet e depozituara në sistemin bankar janë ndjeshëm më të larta se vlera e të ardhurave të dokumentuara.

Komisionerja vëren se Komisioni ka përfshirë në analizë të ardhurat e prindërve të subjektit nga ullishtja për periudhën 1994-2005, duke u mbështetur në akt ekspertimi privat dhe në deklarata të thjeshta, të disa shtetasve. Sipas Ninos, këto të ardhura të pretenduara nuk bazohen në dokumentacion justifikues.

Po ashtu, Nino vlerëson ndryshe nga Komisioni dhe për mundësinë e vëllait të subjektit për krijimin e kursimeve në shumën 2 milionë lekë për dhënien e huasë, me burime nga emigracioni dhe shfrytëzimi i ullishtes – vlerësuar në mënyrë të ngjashme.

Në përfundim, Komisionerja Nino vërejti se dokumentacioni i paraqitur nga subjekti gjatë hetimit në Komision nuk mund të konsiderohet justifikues për ligjshmërinë e burimit të të ardhurave që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë dhe çmon se Gjoka ka kryer deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe se ka mungesë burimesh të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.

Gjyqtarja Irena Gjoka e cilësoi të pabazuar ankimin. Ajo theksoi se gjitha pasuria e saj e krijuar gjatë gjithë karrierës profesionale si gjyqtare prej tre dekadash përbëhet nga një apartament banimi 71 m2, një automjet dhe një garazh me sipërfaqe 28 m2.

Lidhur me konstatimin për llogarinë në shumën 93 mijë lekë, Gjoka deklaroi se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion, pasi ka qenë llogari e hapur në ish-Bankën e Kursimeve Fier, aktualisht “Raiffeisen Bank”, që e ka informuar se dokumentacioni i depozitave nuk është i plotë dhe nuk mund të gjendet.

Për burimin tjetër për blerjen e apartamentit, depozitën 800 mijë lekë, subjekti vërejti se as komisionerja nuk ka konstatuar pamundësi financiare për krijimin e kësaj vlere. Ajo sqaroi se shtesa ishte krijuar prej pagës së saj dhe theksoi se transaksionet bankare janë transparente dhe të gjurmueshme. Ajo këmbënguli se mosdeklarimi i shtesës së kursimeve në rubrikën e duhur nuk mund të përbëjë shkak për deklarim të pamjaftueshëm.

Gjoka shpjegoi se e kishte tërhequr shumën në vitin 2004 për të kryer pagesën, por pasi shoqëria ndërtuese kishte qenë me vonesë në punime, e kishte depozituar sërish së bashku me shtesat në vlerën totale 1.7 milion lekë dhe e kishte tërhequr më vonë për kryerjen e pagesës së apartamentit. Gjoka deklaroi se ishte e provuar se kishte pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj vlere, pasi vetë Komisionerja nuk ngrinte pretendime për shumën 800 mijë lekë me të cilën ishte çelur depozita, ndërsa për shtesat kishte pasur burime të ligjshme nga pagat.

Për një shumë 15 mijë USD, Gjoka deklaroi se nuk e kishte pasqyruar si burim në deklaratën “veting”. Sipas saj, vlera 15 mijë USD përfaqëson depozitën 1.7 milion lekë.

“Mospërputhja midis deklarimeve nuk ka ardhur si pasojë e qëllimit për të fshehur apo për të deklaruar në mënyrë të pasaktë këtë pasuri. Unë jam është përpjekur për të detajuar burimin e kësaj pasurie”, deklaroi Gjoka dhe solli në vëmendje jurispudencën e Kolegjit ku sipas saj pasaktësitë në deklarimet periodike të pashoqëruara me pamjaftueshmëri nuk përbëjnë shkak për penalizim.

Gjoka e kundërshtoi edhe konstatimin se të ardhurat e saj dhe të familjes janë më të vogla se kursimet në depozita bankare. Ajo konstatoi se Komisioni ka përcaktuar vlerë tjetër të ardhurash nga ato të komisioneres dhe e cilësoi të paqartë arsyen pse ishte zvogëluar shuma.

Subjekti deklaroi se ka jetuar me prindërit dhe se nga ekonomia e përbashkët mbuloheshin shpenzimet e jetesës duke i dhënë mundësi kursimin e pagës. Po ashtu, Gjoka kërkoi që të mos përfshihej në analizë shpenzimi për blerjen e apartamentit nga vëllai, pasi nuk kishte jetuar aty dhe se ai nuk mund të konsiderohet person i lidhur. Sipas subjektit, ajo ka detyrim për të provuar burimin e ligjshëm të të ardhurave për pasuritë e krijuara në funksion të apartamentit që ka blerë në Tiranë, dhe jo të pasurive të tjera që nuk ka shërbyer si burim.

Gjoka dhe avokatja Romina Zano u ndalën gjatë në analizën e të ardhurave të deklaruara si të përfituara nga i ati prej tokës bujqësore dhe veçanërisht ullishtes. Ato deklaruan se babai i subjektit zotëron 25 rrënjë ullinj shekullorë dhe 100 rrënjë ullinj të rinj, që i kanë siguruar të ardhura të konsiderueshme në vite. Si prova për këto të ardhura u cituan disa akte vlerësimi, deklarata noteriale dhe dokumente nga disa institucione.

Në parashtrime ato vërejtën se institucioni i Komisionerëve Publikë, nuk ka paraqitur ankim ndaj disa vendimeve të KPK-së në lidhje me të ardhurat nga toka bujqësore të prindërve të subjekteve të tjerë. Gjoka kërkoi që të konsideroheshin në analizë të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga ullishtja dhe buqjësia.

Gjoka këmbënguli se kishte vërtetuar se kishte pasur burime të ligjshme për krijimin e depozitës 23 mijë USD, pasi shpenzimet ishin mbuluar nga ekonomia familjare.

Subjekti argumentoi ngjashëm dhe për të ardhurat e vëllait që i ka dhënë hua nga ullishtja dhe nga emigracioni, duke këmbëngulur se ai kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për kursimin e vlerës 2 milionë lekë.

Mosdeklarimin e pjesës takuese të një apartament në qytetin e Patosit të përfituar nga familja e origjinës nëpërmjet privatizimit në vitin 1993, Gjoka e cilësoi si një pakujdesi. Ajo e quajti të pabazuar qëndrimin e komisioneres se gjendet në kushtet e situatës së deklarimit të pamjaftueshëm në këtë rast, pasi pjesën takuese e kishte përfituar për shkak të ligjit dhe se nuk kishte pasur asgjë për të fshehur.

Për një apartament të blerë nga bashkëshorti në Tiranë në vitin 2001 për çmimin 1.4 milionë lekë janë deklaruar si burim të ardhurat nga pagat dhe dhënia me qira e një objekti. Gjoka sqaroi se kjo pasuri ishte krijuar nga bashkëshorti para se të lidhnin martesë dhe se ai kishte pasur burime financiare të mjaftueshme për krijimin e kësaj pasurie.

Komisionerja Nino deklaroi se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, pasi ka paraqitur deklarata noteriale që referojnë në mënyrë kontradiktore shlyerjen e detyrimeve tatimore për të ardhurat nga qiraja të përfituara prej bashkëshortit, duke mos i vlerësuar si burime financiare të ligjshme.

Ndryshe nga Komisioni, Nino paraqiti analiza të ndryshme dhe për burimet e krijimit të dy garazheve me sipërfaqe 14 m2 secili në Tiranë. Komisioni ka konstatuar deklarime të pasakta të gjendjes cash në vite, por është bindur nga deklarata veting dhe nga shpjegimet gjatë hetimit administrativ dhe nuk ka konkluduar probleme për krijimin e këtyre pasurive.

Komisionerja Nino e konsideroi të pambështetur në gjendjen e akteve konkluzionin e KPK-së, duke argumentuar se subjekti dhe personat e lidhur me të kanë detyrimin te deklarojnë saktësisht dhe plotësisht ndryshimet në pasuri dhe detyrimet.

Gjoka deklaroi se bashkëshorti ka deklaruar satësisht blerjen e dy garazheve, si dhe burimin e krijimit të tyre. Ajo theksoi se nga analiza rezulton se kanë pasur mundësi finanicare për krijimin e këtyre dy pasurive.

Gjoka kundërshtoi si të pabazuara edhe konstatimet e Komisioneres për mungesë burimesh për blerjen e dy automjeteve, si për mosdeklarimin e gjendjeve që kanë shërbyer për një transaksion 12 mijë euro të kryer nga bashkëshorti në vitin 2007.

Komisionerja konstaton paqartësi për dy hua të marra nga bashkëshorti i subjektit dhe për mënyrën e kthimit të tyre. Nino vërejti se deklaratat noteriale të paraqitura nga subjekti janë realizuar pas deklaratës “veting” dhe mbeten në nivel deklarativ.

Gjyqtarja Gjoka theksoi se kishte provuar me dokumentacion mundësinë financiare për dhënien e huave. Sipas saj huatë ishin dhënë brenda një harku kohor të shkurtër dhe nuk kanë asnjë ndikim në analizën financiare apo në procesin e saj të rivlerësimit.

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë