KPK ka vendur paraditen e sotme shkarkimin nga detyra të dy gjyqtarëve, konkretisht në Tiranë dhe në Durrës. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Apelit Administrativ, Arjan Qafa si dhe gjyqtarin e Apelit të Durrësit Tritan Hamitaj. Për të dy gjyqtarët problem ka dalë pasuria dhe burimi i të ardhurave që nuk janë justifikuar nga ana e tyre në KPK.

Në seancën dëgjimore e cila u mbajt pak ditë më parë, Qafa u përpoq të shmangte barrën për 80 mijë euro cash të deklaruara nga bashkëshortja dhe 7.4 milionë lekë të përfituara si interesa huaje përmes një kontrate të diskutueshme paramartesore. Sipas Komisionit, të paprovuara janë edhe 47 mijë euro dhurata nga familjarët.

Qafa depozitoi në KPK një marrëveshje paramartesore, sipas së cilës çifti i kishte menaxhuar veç e veç pasuritë. Por kjo marëveshje, që kishte dalë në skenë vetëm pas fillimit të hetimit administrativ, u vu në dyshim nga anëtarët e trupës, ndërsa relatorja Pamela Qirko lexoi një dëshmi të bashkëshortes në prokurori në vitin 2014, ku ishte pyetur në një hetim penal mbi pasuritë e gjyqtarit, në të cilën ajo thoshte se marrëveshja ishte gojore.

Gjyqtari e cilësoi dëshminë si të marrë në mënyrë të paligjshme nga prokurori, ndërsa i tha trupës së kryesuar nga Valbona Sanxhaktari dhe me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Pamela Qirko se e shoqja kishte ngatërruar datën e martesës dhe “ishalla nuk më harro emrin”.

Ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve të përsëritura nëse duhej të deklaronte burimin e shumës në fjalë, për sa kohë ajo kishte shërbyer më pas në krijimin e pasurisë së përbashkët. Ai këmbënguli që pasuria e tij ishte e ligjshme.

Arjan Qafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si gjyqtar në Bulqizë dhe në Dibër deri në vitin 2010. Në periudhën 2010-2014, Qafa ka punuar si inspektor për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për t’u emëruar më pas si gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit, ndërsa është zgjedhur edhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Ndërkohë që gjyqtari pranë Gjykatës së Apelit Durrës, Tritan Hamitaj ju nënshtrua vetingut me 15 shtator për kriterin e ligjshmërisë së pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional.

Trupa Gjykuese Suela Zhegu, Lulzim Hamitaj, Genta Tafa (Bungo) pasi analizoi provat dhe faktet si dhe dëgjoi pretendimet e palëve vendosi shkarkimin nga detyra të Tritan Hamitaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Durrës, pasi nuk arriti të justifikoi pasurinë.

Tritan Hamitaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë dy dekadave ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Lushnjës, atë të Durrësit dhe Gjykatën e Apelit në Durrës. Hamitaj ka mbajtur edhe pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2010-2015.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re