Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk i vlerësoi penalizuese veprimet e paligjshme të prokurorit të Apelit Shkodër Brahim Dragjoshi për pushtimin e tokës ku ndërtoi pa leje një shtëpi tre kate + një kat nën tokë, duke i konsideruar ato në harmoni me politikat shtetërore dhe aktet ligjore të nxjerra në vijim për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme. Pamundësia financiare në vlera të mëdha për ndërtimin e banesës dhe për blerjen e disa makinave solli shkarkimin e Dragjoshit.

Nga Edmond Hoxhaj  

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shkarkoi nga detyra më 16 nëntor 2020 prokurorin e Apelit Shkodër Brahim Dragjoshi pasi u gjet në pamundësi financiare për ndërtimin e një shtëpie tre kate + 1 kat nën tokë dhe për blerjen e disa makinave, si dhe për deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme për këto pasuri.

Ndërkohë, trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Lulzim Hamitajn e justifikojnë Dragjoshin për ndërtimin pa leje të banesës në tokë shtet në Paskuqan, duke argumentuar se veprimet e paligjshme janë formalizuar nga vetë shteti nëpërmjet legalizimit të kësaj pasurie.

Ndërtimi pa leje në tokë shtet

Për banesën tre kate + një kat nën tokë e gjendur në një sipërfaqe trualli 514 m2, e legalizuar në fund të vitit 2015, Dragjoshi ka deklaruar se e ka filluar ndërtimin në vitin 1996 dhe se i ka përfunduar në pjesën më të madhe në vitin 2000, kur edhe ka filluar të banojë aty.

Komisioni evidenton se zënia e truallit në vitin 1996 nga subjekti i rivlerësimit përbënte kundërvajtje penale dhe binte ndesh me nenin 200 të Kodit Penal “Pushtimi i tokës”, ndërsa ndërtimi pa leje i nisur po atë vit përbënte kundërvajtje administrative.

Prokurori Dragjoshi ka pranuar se për një prokuror është e rëndë të shkojë të kapë një truall diku tjetër në mënyrë të paligjshme, por ka pretenduar se toka me sipërfaqe totale 2000 m2, ku bënte pjesë edhe parcela e tij 500 m2, ishte blerë prej tre vëllezërve në vitin 1995, kundrejt shumës 200 mijë lekë.

“…kjo parcelë shumë në periferi të Tiranës, në atë kohë, u është dukur e përshtatshme për të ndërtuar dhe filluar një jetë të re, të diktuar nga kushtet e krijuar të tranzicionit”, ka deklaruar Dragjoshi por pa mundur të vërtetojë me dokumentacion blerjen e pretenduar të vitit 1995, pasi nga hetimi ka rezultuar se shitësi i tokës ka qenë ALUIZNI në vitin 2015.

Prokurori Dragjoshi ka deklaruar se veprimet e tre vëllezërve për blerjen e tokës dhe ndërtimin e shtëpive, janë mbështetur nga autoritet vendore të kësaj zone, duke u trajtuar edhe me ndihmë humanitare dhe përkrahje sociale.

Ai ka pretenduar se vëllezërit kishin qenë të detyruar të largoheshin nga trojet e siguruara nga ish-Ndërmarja Bujqësore Kukës, pasi ish-pronarët e atyre tokave u kishin vendosur kushte që të largoheshin sa më parë.

Në vijim, subjekti ka shpjeguar se edhe ai si pjesë përbërëse e këtij trungu familjar, është bërë pjesë e këtij procesi tranzicioni në dukje i paligjshëm, por që sipas tij kishte patur mbështetje të madhe politike dhe shtetërore në atë periudhë.

Ai ka sjellë në vëmendje të Komisionit se vetë shteti u detyrua të ligjëronte çdo gjë që vetë kishte ushqyer në atë kohë, duke legalizuar informalitetin. Duke argumentuar se kjo paligjshmëri është udhëhequr nga vetë shteti, pavarësisht legjislacionit që parashikonte sanksione për këto veprime, Dragjoshi ka kërkuar që pushtimi i tokës të mos konsiderohet vepër penale.

Komisioni vlerëson se zënia e truallit dhe ndërtimi i paligjshëm i kryer nuk përputhen me etikën e prokurorit dhe e cënon atë, por nga ana tjetër, duke i analizuar veprimet me kohën kur janë kryer, vlerëson të mos i konsiderojë shkarkuese këto shkelje.

“[…]në kushtet e tranzicionit të thellë që po kalonte shteti shqiptar dhe faktit të njohur botërisht të imigrimit të brendshëm për shkak të kushteve social – ekonomike të disa zonave të Shqipërisë, si edhe në kushtet kur në atë kohë nuk ishte kryer/rregulluar ndarja e saktë e titujve të pronësisë, Komisioni arrin në konkluzionin se kjo shkelje nuk mund të përbëjë veçmas shkak për shkarkimin e subjektit”, citohet në vendim.

KPK e quan korrekt qëndrimin e subjektit që ka pranuar paligjshmëritë dhe duke i konsideruar ato në harmoni me politikat shtetërore dhe aktet ligjore të nxjerra në vijim për legalizimin e këtyre pasurive, si dhe të gjitha veprimeve të kryera. Në përfundim, trupi gjykues ka vendosur që këto shkelje të mos i marrë në konsideratë gjatë vlerësimit përfundimtar.

Mungesë burimesh dhe pasaktësi

Si burim krijimi të shtëpisë trek ate + një kat nën tokë, Dragjoshi ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti në Kukës dhe të ardhurat nga pagat ndër vite.

Në mungesë të dokumentacionit ligjor për shpenzimet e kryera për ndërtimin e shtëpisë në Paskuqan, Komisioni ka kryer vlerësimin duke bazuar në çmimin mesatar të kostos për m2 sipas Entit Kombëtar të Banesave, për periudhën 1996-2000. Analiza për këtë periudhë është bazuar në deklarimet e subjektit, i cili ka pohuar se në vitin 2000 është përfunduar një pjesë e punimeve dhe se është transferuar të jetojë aty në qershor të po atij viti.

Nga përllogaritjet e kryera prej KPK është konkluduar se vlera e punimeve deri në qershor të vitit 2000 ka qenë në shumën 4 milionë e 372 mijë lekë.

Komisioni ka verifikuar të ardhurat e subjektit dhe familjarëve të tij nga viti 1992 deri në vitin 1997, kur ai ka blerë apartamentin në Kukës kundrejt vlerës 970 mijë lekë.

“[…]këto të ardhura, në rastin më të mirë, janë të mjaftueshme vetëm për të përballuar shpenzimet e subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të[…]”, konstaton Komisioni dhe konkludon se Dragjoshi nuk ka patur burime financiare të ligjshme për të justifikuar blerjen e apartamentit në ’97-ën.

Ndërkohë, ka rezultuar se apartamenti në Kukës është shitur në tetor të vitit 2000, ndërsa Dragjoshi ka deklaruar se është shpërngulur për të jetuar në Tiranë në qershor të atij viti. Edhe në formularin e vetëdeklarimit për lelaglizim të vitit 2005, subjekti ka shënuar se ndërtimi ishte kryer në qershor të vitit 2000.

Pretendimet e Dragjoshit se shumën 600 mijë lekë nga shitja e apartamentit në Kukës e ka marrë para nënshkrimit të kontratës janë cilësuar të pabazuara në prova dhe nuk janë konsideruar prej KPK.

Deklarative janë konsideruar edhe pretendimet se si pjesë e marrëveshjes së shitjes së apartamentit në Kukës ka qenë kalimi në favor të tij i një automjeti tip Volksëagen me vlerë rreth 400 mijë lekë dhe se këtë makinë e ka shitur 350 mijë lekë në vitin 2000.

Në përfundimin, trupi gjykues konkludon se të ardhurat nga shitja e apartamentit në Kukës nuk mund të kenë shërbyer si burim krijimi për të mbuluar investimet e kryera në shtëpinë në Paskuqan.

Nga analiza financiare e shtrirë në periudhën 1992-2000, ka rezultuar se të ardhurat e prokurorit Brahim Dragjoshi dhe personave të tjerë të lidhur në raport me shpenzimet dhe investimet e kryera për shtëpinë kanë rezultuar me balancë negative në vlerën 5 milionë e 757 mijë lekë.

Pamundësi financiare është evidentuar edhe për vazhdimin e punimeve në këtë banesë në vitin 2004 dhe për blerjen e një autoveture të markës “BMW” kundrejt vlerës 300 mijë lekë.

Gjithashtu, KPK konstaton se Dragjoshi ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në deklaratën veting për banesën në Paskuqan, pasi nuk ka pasqyruar sipërfaqen totale të ndërtimit, sipërfaqen e ndërtimit për çdo kat, ecurinë e punimeve për ndërtimin e këtij objekti, shpenzimet e kryera dhe burimin e krijimit të të ardhurave që kanë shërbyer në vazhdimësi për ndërtimin e plotë të objektit.

Por këto pasaktësi janë konsideruar të paqëllimshme, pasi ka rezultuar se Dragjoshi është bazuar në kopjen e vërtetimit të pronësisë për deklarimet e kryera në deklaratën veting.

Edhe mospërputhjet e gjetura në deklarimet e subjektit ndër vite për ecurinë e ndërtimit dhe të dhënave të kësaj pasurie nuk janë konsideruar në vlerësimin përfundimtar, pasi trupi gjykues i ka cilësuar bindëse shpjegimet e subjektit se nuk ka pasur njohuri të posaçme në fushën inxhinierike dhe se në përfundim të procesit të legalizimit specialistët e ALUZINI-t do kryenin matjet përfundimtare.

Komisioni ngre dyshime për vlerën reale të blerjes së një automjeti të markës “BMW X5”, në vitin 2011 që sipas kontratës së shitblerjes, çmimi ka qenë 5,000 euro.

Nga hetimi ka rezultuar se Dragjoshi nuk e ka deklaruar blerjen e këtij mjeti në vitin 2011, por ka shënuar marrjen e një kredie me afat një vjeçar në shumën 500 mijë lekë, për blerje automjeti.

Duke iu referuar vlerës së mjetit para zhdoganimit, shpenzimeve të kryera për zhdoganimin e tij, si edhe faktit se para pagesës së kryer subjekti i rivlerësimit ka kryer dy tërheqje në vlera të konsiderueshme nga llogaria e tij, përkatësisht shumat 400 mijë dhe 500 mijë lekë, Komisioni shprehet se ka dyshime të arsyeshme lidhur me vlerën reale të blerjes së tij.

“[…]në prapësimet e tij nuk paraqiti shpjegime lidhur me dyshimet e ngritura nga Komisioni lidhur me vlerën reale të blerjes së kësaj pasurie”, konstaton Komisioni për qëndrimin e Dragjoshit.

Ndërkohë, nga analiza financiare e kryer për vitin 2011, ka rezultuar balancë negative e fondeve në shumën 604 mijë lekë.

Komisioni konstaton se Dragjoshi nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike blerjen një makine të markës “Renault” në vitin 2012 nga djali tij kundrejt vlerës 4,600 euro. Në deklaratat periodike nuk është pasqyruar një hua në shumën 2,600 euro, e deklaruar më vonë si një prej burimeve të krijimit të kësaj pasurie dhe blerja e një makine tip “Toyota”, për të cilën më vonë subjekti ka shpjeguar se është shitur për pjesë këmbimi në vlerën 2,000 euro, shumë e cila ka shërbyer për plotësimin e çmimit të makinës “Renault”.

Për arsye të mosdeklarimit mungesës së dokumentacionit për të arhdurat e huadhënësit dhe përfitimit të vlerës nga shitja e mjetit për pjesë këmbimi, vlerat 2,000 dhe 2,600 euro nuk janë përfshirë në analizën financiare për blerjen e automjetit tip “Renault”.

Nga analiza finanicare e kryer për vitin 2012 kur është blerë kjo makinë ka rezultuar balancë negative në shumën 1 milion e 192 mijë lekë.

Po ashtu ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 772 mijë lekë për blerjen e një autoveture tip “Benz” nga djali i subjektit në vitin 2015 për çmimin 7,000 euro dhe balancë negative në shumën 117 mijë lekë në vitin 2014 për blerjen e një automjeti tip “Lancia” nga vajza e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re