Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmonte në detyrë gjyqtaren Alkelina Gazidede, ndërsa dërgoi për inspektim dy vendime të saj si gjykatëse e Gjykatës Administrative të Apelit dhe dy vendime të Gjykatës së Lartë që i kishin prishur këto vendime.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përbërë nga Suela Zhegu kryesuese, Genta Tafa Bungo relatore dhe Firdes Shuli anëtare, njoftoi të premten se Gazidede do të konfirmohej. Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit u hetua në të tre kriteret. Ndaj saj u zhvilluan dy seanca dëgjimore.

Në një prej seancave KPK vuri në dukje disa probleme të pasurisë, por që u kundërshtuan nga gjyqtarja. Në seancën e dytë gjyqtares iu vunë në dukje dyshimet për njëanshmëri dhe konflikt interesi, të cilat po ashtu ajo i kundërshtoi.

KPK ka vendosur që për dy vendime të Gjykatës së Lartë që kanë prishur dy vendime të Gjykatës Administrative të Apelit për shkak se prania e Gazidedes në trupë në këtë të fundit është cilësuar si njëanshmëri, të dërgohen për inspektim.

Gazidede e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Tiranës. Ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit në nëntor 2013 me dekret të Presidentit të Republikës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re