Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurrën vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Apelit të Durrësit, Moisi Duda. Vendimi erdhi pas një hetimi administrativ të gjatë dhe katër seancave dëgjimore.

Duda është i vetmi nga magjistratët ndaj të cilit janë zhvilluar disa seanca dëgjimore radhazi, pa pasur kërkesa proceduriale për shtyrje apo përjashtim trupe. Në seancën e parë KPK njoftoi përfundimin e hetimit vetëm për kriterin e pasurisë dhe vuri në dukje probleme sa i përket pjesëtimit të pasurisë me vëllain, mungesën e dokumentacionit për pagesën e tatimeve për shitjen e një apartamenti, mungesë burimesh në disa vite dhe mungesën e burimit të ligjshëm për 5 milionë lekë të ardhura të bashkëshortes. Duda i kundërshtoi gjetjet e KPK përmes avokatit të tij. Në seancën e dytë, ndërsa ishte vendosur të njoftohej vendimi, u bë njoftim për rihapje të hetimeve.

Në seancën e tretë u diksutua sërisht gjërësisht mbi dokumentacionin mbi pronësinë e apartamentit në Lushnjë dhe mospagimin e detyrimeve tatimore për një shumë 1.2 milionë lekë. Po ashtu u vu theksi mbi deklarimin e kursimeve cash dhe atyre të vendosura në bankë.

Duda pretendoi se me pakësim kishte kuptuar trasferimin nga shtëpia në bankë të parave cash dhe se i kishte konsideruar këto të deklaruara. Pasi bëri një sërë pyetjesh, KPK vendosi të shtyjë seancën dhe t’i japë Dudës kohë shtesë për të sjellë dokumentin që provonte pronësinë e vëllait dhe pjesëtimin e pasurisë mes tyre. Vendimi i ndërmjetëm u mor pa kërkesë të vetë prokurorit, ndërsa arsyet se pse dokumentacioni nuk ishte paraqitur mbetën të paqarta.

Në seancën e katërt të zhvilluar të hënën më 14 shtator, trupi gjykues i kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Brunilda Bekteshi njoftoi se, pas shqyrtimit të disa provave shtesë në kriterin e pasurisë, ishte vendosur rihapja e hetimit edhe në kriterin e figurës dhe atë të profesionalizmit.

Në një raport të shkurtër, relatorja e çështjes Xhensila Pine vuri në dukje se Duda kishte sjellë një dokument noterial në lidhje me pjestimin e pasurisë me të vëllanë, ndërsa tha se atij nuk i ishin gjetur probleme të figurës.

Pine po ashtu lexoi një raport pozitiv për profesionalizmin, ndërsa vuri në dukje se prokurorit i ishte kaluar barrë prove mbi dy denoncime nga një grua, që kishte kërkuar përjashtimin e tij nga çështje ndaj saj.

Duda në fjalën e tij risqaroi se paraqitja me vonesë e marrëveshjes kishte ndodhur për shkak se pasuria ishte ende në emrin e prindërve. Ai tha se marrëveshja me shkrim nuk ishte parë e arsyeshme, pasi ata nuk kishin mosmarrëveshje.

Lidhur me denoncimet, Duda pretendoi se çështjet i kishte marrë me short dhe se denocnuesja në asnjë moment nuk ka kërkuar te drejtuesi i prokurorisë zëvendësimin me një prokuror tjetër. Ai tha se nuk kishte vlerësuar se duhej të hiqte dorë nga çështja, sepse s’kishte asnjë arsye ligjore.