Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën vendimin për shefen e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Pranvera Pustina, e cila u konfirmua në detyrë.

Procesi i vetingut për Pustinën në KPK u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Etleda Çiftjan.

Komisioni nuk evidentoi probleme me pasuritë e deklaruara nga bashkëshorti i prokurores Pranvera Pustina, ndërsa kjo e fundit mori vlerësime pozitive edhe për figurën dhe profesionalizmin.

Pranvera Pustina ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe fillimisht është emëruar prokurore në Prokurorinë e Krujës. Në vitin 2015, ajo u transferua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa prej janarit 2020 është komanduar në pozicionin e shefes së kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela.