Skip to content

KPK shënon sot 5 vjet nga themelimi/ 535 vendime të marra, 200 të shkarkuar

  • 17/06/2022

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Më 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e pare.

 

Sot, më 17 qershor 2022, ai numëron në total 535 vendime, prej të cilave 209 konfirmime në detyrë, 200 shkarkime, 88 pushim/ndërprerje procesi, 35 përfundim procesi pa vendim perfundimtar, si dhe 3 vendime pezullim nga detyra

 

Për tu rivlerësuar kanë mbetur edhe 270 magjistratë, për ta çuar numrin në 805, i cili është edhe kuota e magnistratëve në rang vendi

 

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shënon sot 5 vjetorin e konstituimit të tij. 12 komisionerët e votuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), nisën zyrtarisht ushtrimin e detyrës më 17 qershor 2017, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

 

Misioni të cilin morën përsipër 12 anëtarët e Komisionit nuk ishte vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor për të kryer procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me synim rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori, por edhe përgjegjësi e lartë personale e profesionale në funksion të ndërtimit të një sistemi të pavarur, të drejtë e të paanshëm.

 

Në 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e parë dhe sot, më 17 qershor 2022, ai numëron në total 535 vendime, prej të cilave 209 konfirmime në detyrë, 200 shkarkime, 88 pushim/ndërprerje procesi, 35 përfundim procesi pa vendim perfundimtar, si dhe 3 vendime pezullim nga detyra (raporti statistikor).

 

Deri në fund të mandatit të Komisionit, mbeten për t’u rivlerësuar edhe 270 subjekte, me qëllim përmbylljen e vettimit të listës së plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë).

 

Gjatë këtyre 5 viteve, anëtarët e Komisionit janë përballur me sfida të ndryshme profesionale, por edhe personale. Përgjatë këtij rrugëtimi, KPK ka patur mbështetjen dhe ekspertizën e vazhdueshme të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilin gjen rastin edhe njëherë ta falenderojë. Po ashtu, Komisioni shpreh mirënjohje dhe falenderim për rolin e luajtur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbështetje të procesit të rivlerësimit.

 

Transparenca, llogaridhënia dhe informimi i publikut mbi procesin e vettingut, që nga dita e parë e punës, konsiderohen si shtylla të rëndësishme të veprimtarisë së Komisionit. Prandaj, shprehim falenderim edhe për mediat kombëtare, lokale e ndërkombëtare për angazhimin dhe vëmendjen e kushtuar. Për KPK, media mbetet një partner i rëndësishëm.

 

Komisioni nënvizon se gjatë 5 viteve të funksionimit të tij ka kryer me paanshmëri, profesionalizëm dhe angazhim të lartë procesin e rivlerësimit. Në vijim, edhe me zgjatjen e afatit kushtetues nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, secili nga anëtarët e trupës do të vijojë me përkushtim detyrën, duke i qëndruar besnik Kushtetutës dhe ligjeve, për të shpërblyer besimin e publikut”.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë