Partia Demokratike, Dega Kukës, njoftoi dje se nuk do të dalë me një kandidat për zgjedhjet e pjesshme të 24 shtatorit.

Në një deklaratë, PD dega Kukës bën me dije se duke ndjekur zhvillimet e fundit brenda demokratëve thotë se ‘nuk do të bëhet kurrë “trau i dytë” i humbjes, në dëm të demokratëve dhe qytetarëve kuksianë’. PD dega Kukës thekson se është koha për t’u fokusuar te ringritja.
“Partia Demokratike, Dega Kukës, duke ndjekur me përgjegjësi të lartë politike dhe morale situatën e krijuar në Kukës, pas diskutimeve dhe konsultimeve me anëtarët dhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike Dega Kukës; duke vlerësuar se interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është rrëzimi i qeverisë, në kushtet e kohës së shkurtër dhe të pamjaftueshme për të riorganizuar degën e partisë pas pasojave tepër negative të frymës së konfliktit të ndezur padrejtësisht mes demokratëve, gjykojmë se tani është koha që së pari të fokusohemi te ringritja e degës së Partisë Demokratike, krijimi i alternativës që presin qytetarët e Kukësit dhe në betejën për rrëzimin e kësaj qeverive, që po i varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët”, thuhet në njoftim. Sipas PD zyrtare, ky vendim do t’i shërbejë demokratëve dhe unifikimit të opozitës.
”Për këtë arsye, ne nuk do të propozojmë kandidat për zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit. Partia Demokratike Dega Kukës qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre. Kuksianët meritojnë një alternativë që do t’u shërbejë atyre dhe jo gara të paracaktuara nga oligarkët në kurriz të demokratëve”, thuhet në njoftimin e PD-së. E premtja ishte dhe afati i fundit që PD e “Bashës” të regjistronte kandidatin e saj në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë Kukës.
Nga ana tjetër, opozita do të kandidojë me Emri Vatën, i cili do të garojë nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale të 14 majit, ku Sali Berisha fitoi vetëm 7 nga 61 bashki të vendit, lideri i opozitës duket se ka nisur një përpjekje të re për të bashkuar opozitën në betejën kundër Kryeministrit Edi Rama.
I ndihmuar edhe nga rikthimi i Lulzim Bashës, në krye të PD. Sali Berisha ia doli të bashkojë në një tryezë 43 deputetë të opozitës, duke nisur për herë të parë pas dy vitesh një proces bashkimi.
“Dua t’ju informoj se ekziston vullneti i plotë që ato takime të vazhdojnë dhe të jenë gjithnjë e më të frytshme në mënyrë që të rivitalizohet roli i opozitës në parlament dhe të mbrohen në Parlament me vendosmërinë më të madhe interesat e popullit opozitar”, tha Berisha.
Në përpjekje për të arritur këtë bashkim të opozitës, në faqen e Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha, Gazment Bardhi, figuron për herë të parë kryetar i grupit parlamentar të PD, edhe pse vetë Berisha foli sot gjatë konferencës me gazetarët për një proces të ri zgjedhor për kreun e grupit.
“Gazment Bardhi kryeson një grup deputetësh, është realitet. Ky grup deputetësh, bashkë me deputetë të tjerë do kenë mundësi të zgjedhin kryetarin e grupit të bashkuar parlamentar, i cili mund të jetë pa asnjë lloj hezitimi Gazment Bardhi apo cilido që do votojnë deputetët”, deklaroi Berisha.
Por pavarësisht zhvillimeve të fundit, ka një çështje për të cilën Sali Berisha nuk ka ndryshuar qëndrim. Në momentin kur opozita do të fitojë zgjedhjet përballë kryeministrit Edi Rama, do të jenë qytetarët që do të vendosin nëse Berisha do të jetë apo jo shefi i qeverisë së ardhshme.
“Pas zgjedhjeve mund të këtë njerëz që mund të thonë, doktori e solli deri këtu dhe kërkojnë ndryshim. Dhe ja jap të drejtën për ndryshim”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re