Me përzgjedhjen rastësore të 519 kutive të votimit, hapja e tyre nis në mesditën e Të premtes. Vota e hedhur në parlamentaret e prillit do të rinumërohet po aq edhe i gjithë dokumenti zgjedhor që shoqërojnë këto kuti do të verifikohet për parregullsi ose jo.

Pavarësisht se cilat do të jenë të dhënat nga ri-numërimi i 10 përqindëshit të kutive të votimit nga të 61 bashkitë e vendit, ai nuk do të reflektohet në rezultatin e zgjedhjeve. Ky proces i diktuar nga kodi elektoral, do te shërbejë për të identifikuar gabimet e bëra nga administrata e tij.

Veçmas nga ri-leximi i fletëve të votimit do të mësohet nëse socialistët gabuan me fletën e votimit. Identifikimi i kandidatëve për deputetë me emra dhe jo me numra siç kërkoi opozita, prodhoi mbi 80 mijë fletë të pavlefshme, duke i mohuar të paktën mandatin 5 deputetëve si nga mazhoranca qeverisëse dhe opozita.

Edhe pse ligji ua lejonte që të zgjidhnin qendra votimi të caktuara, aty ku partitë politike mund të kishin dyshime për shtrembërim të vullnetit politik, as Partia Demokratike dhe as Lëvizja Socialiste për Integrim, që flasin për masakër elektorale, nuk treguan interes. Madje në përzgjedhjen e kutive për tu hapur, PD nuk kishte asnjë përfaqësues ligjor, ndryshe nga ish aleati i saj, LSI, që ishte aty.

Ri-verifikimi i të dhënave në njësinë 10 në Tiranë, aty ku për herë të parë u zbatua edhe numërimi elektronik do të shërbejë për të konfirmuar efektivitetin e pajisjeve elektronike.

Ri-numërimi i 519 kutive do të zgjasë për të paktën një javë. Në fund ai do të prodhojë një raport ndihmues për vetë KQZ-në për zgjedhjet e ardhshme por edhe për partitë politike që janë angazhuar të bëjnë ndryshime në ligjin zgjedhor, e veçmas në një prej pikave që shkaktoi debat mes partive politike, përmbajtja e fletës së votimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re